Flash News

NDËRKOMBËTARE

Tony Blair: Pa ndryshim total Partia Laburiste do të shkatërrohet (sikur e ka shkruar për PD)

Partia Laburiste ka nevojë për dekonstruksion total dhe rikonstruksion total. Asgjë tjetë nuk funksionon

Tony Blair: Pa ndryshim total Partia Laburiste do të shkatërrohet

Tony Blair/ New Statesman

Sfida me të cilën përballen Partia Laburiste dhe Liberal-Demokrate e Britanisë është e fortë. Partitë politike nuk kanë të drejtë hyjnore për të ekzistuar dhe partitë progresive të qendrës dhe qendrës së majtë po përballen me margjinalizim, madje edhe me zhdukje, në të gjithë botën perëndimore. Ku është Partia Socialiste Franceze e François Mitterrand apo SPD gjermane e Willy Brandt? Edhe partitë mbizotëruese kombëtare shumë shpejt mund të bëhen parti të vogla nën goditjet e forta marrë nga lidershipi i dobët dhe ndryshimet shoqërore dhe ekonomike. Shikoni Partinë Liberale të Asquith-it dhe Lloyd George-it, reduktuar nga 397 në 43 vende në vetëm 18 vjet në fillim të shekullit 20.
Fitorja e Joe Biden-it në Shtetet e Bashkuara mënjanë, politika progresive në të gjithë globin është e keqvendosur: katër humbje elektorale për Partinë Laburiste në Britani dhe askush nuk vë bast kundër të pestës; SPD gjermane gjendet pas një Partie të Gjelbër të moderuar; socialistët francezë, të cilët fituan Presidencën në 2012, tani votohen me 11 përqind; e majta italiane e imploduar dhe e ndarë; socialistët spanjollë dhe suedezë po kacavirren ende në pushtet, por shumë më poshtë niveleve të tyre të mëparshme të mbështetjes.
Dhe, për të thënë të vërtetën, asnjë demokrat i arsyeshëm nuk duhet të mbivlerësojë fitoren e Biden-it. Ai fitoi kundër një zyrëmbajtësi si askush tjetër, i konsideruar nga votuesit e qendrës si posaçërisht i çuditshëm dhe i papranueshëm në sjelljen e tij. Në mes të krizës Covid-19, veprimet e Donald Trump-it duket se e përkeqësuan pandeminë; dhe madje edhe kësisoj, Trump-i rriti numrin e votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 krahasuar me 2016, ndërsa Republikanët morën vende në Kongres dhe ndoshta e humbën kontrollin e Senatit vetëm falë trazirave të çuditshme post-zgjedhore që përfunduan me sulmet ndaj Kapitolit në ëashington në 6 Janar. Fitorja e Biden-it ishte një reagim i fortë, jo aq shumë kundër politikave sesa komportimit të Trump-it. Me Biden-it, Demokratët propozuan ndoshta të vetmin udhëheqës të mundshëm për të fituar.
Pa Biden-in, arsyeshmërinë dhe moderimin e tij të qartë, mund të mos kishte pasur fitore. Idetë kanë rëndësi në politikë, dhe me të drejtë, kanë shumë rëndësi për progresistët. Por, pa udhëheqës që mund të formulojnë dhe prezantojnë me sukses këto ide, ato mbledhin pluhur në rafte, jo vota në kutitë e votimit. Normaliteti i dukshëm i Biden-it - personi i duhur, vendi i duhur, koha e duhur - qëlloi të jetë kyç.
Me pak fjalë, duke lënë mënjanë Joe Biden-in, përreth botës së sotme perëndimore ka vetëm shkëndija të një agjende progresive me mbështetje të thellë të shumicës.
Problemi i progresistëve është se, në një epokë kur njerëzit duan ndryshim, në një botë që ndryshon, dhe gjithashtu një të ardhme më të drejtë, më të mirë dhe më të prosperuar, progresistët radikalë nuk janë pragmatistë dhe pragmatistët nuk janë radikalë. Zgjedhja është pra, midis atyre që nuk arrijnë të frymëzojnë shpresë dhe atyre që frymëzojnë po aq frikë sa dhe shpresë. Kështuqë, në krye prin e majta e re radikale, dhe "të moderuarit" tërhiqen pas, duke ligjëruar në mënyrë të parehatshme një version të tkurrur të politikave të së majtës, ndërsa, herë pas here, ngulin këmbë për të ndaluar më tej rrëshqitjen drejt tëhuajëzimit të qendrës.
Rezultati është që sot politika progresiste ka një mesazh ekonomik të modës së vjetër të Big State-it, takso dhe shpenzo- i cili, përveç pjesës së shpenzimeve (që gjithsesi e djathta mund ta bëjë), nuk është veçanërisht tërheqës. Kjo ndërthuret me një mesazh të ristilizuar shoqëror/ kulturor rreth identitetit ekstrem dhe politikës anti-policore e cila, për një pjesë të madhe të njerëzve, është votë-larguese. "Ç'financo policinë!" mund të jetë slogani politik më i dëmshëm i së majtës që nga "diktatura e proletariatit". Ajo i lë të djathtës një mesazh ekonomik që duket më praktik, dhe një mesazh të fuqishëm kulturor rreth mbrojtjes së vlerave tradicionale të flamurit, familjes dhe vatrës. Si të mos mjaftonte kjo, e djathta tregon krenari për kombin, ndërsa pjesë të së majtës duken të turpëruar nga vetë nocioni.
E gjithë kjo po ndodh në sfondin e një transformimi në botën reale. Ne jemi duke jetuar përmbysjen më të gjerë që nga Revolucioni Industrial i shekullit të 19-të: një revolucion teknologjik i internetit, IA, llogaritja kuantike, përparime të jashtëzakonshme në gjenomikë, bioshkencë, energji të pastër, nutricionizëm, argëtim, pagesa financiare, imazhe satelitore. Gjithçka, çdo sferë e punës, kohës së lirë dhe jetës i nënshtrohet fuqisë së saj transformuese. Pyetja është se si përdoret: për të kontrolluar njerëzimin ose për ta çliruar atë, për të siguruar mundësi për ata që janë aktualisht pa mundësi, ose për të vënë edhe më shumë pushtet, pasuri dhe mundësi në duart e atyre që tashmë i kanë këto.
Kjo është sfida kryesore politike e kohës sonë; dhe ata që e kuptojnë këtë revolucion, tregojnë se si mund të përvetësohet, për të mirën e njerëzve, dhe ta shfrytëzojnë për të mirën publike, do të fitojnë me meritë pushtetin. Eshtë një sfidë e bërë si me porosi për kauzën progresive. Kërkon qeveri aktive; një angazhim për drejtësi dhe barazi shoqërore; një rregullim i shërbimeve publike, veçanërisht i shëndetësisë dhe arsimit; masat për të sjellë të margjinalizuarit në rrjedhën kryesore të shoqërisë; dhe një infrastrukturë të re të shekullit 21.
Do të kërkojë inovacion, jo status quo; dhe mentalitetin e bërësve të ndryshimeve, jo konservatorë me 'k' të vogël'. Më së miri do të bëhet në bashkëpunim me kombet e tjerë, jo me nacionalizmin mendjengushtë. Merrni krizën Covid-19. Kërkonte që qeveria aktive të shfrytëzonte inovacionin, përpjekjen kolektive dhe koordinimin global, duke balancuar nevojat e ekonomisë me nevojën për të luftuar sëmundjen. Kriza ka përshpejtuar ndryshimin teknologjik, ka thelluar pabarazinë, ka vendosur një premium edhe më të madh të krijimtarisë, dhe ka treguar se si shërbimi publik i përkushtuar është pjesë jetike e mbijetesës kombëtare.
Çdo gjë në lidhje me botën në të cilën jetojmë, dhe akoma më shumë atë në të cilën do të jetojmë, këlthet për një përgjigje progresive. Në të ardhmen, ata që janë të pajisur për revolucionin e teknologjisë mund të kenë sukses; ata që nuk janë të pajisur, pothuajse me siguri, do të dështojnë. Kjo është kauza moderne progresive. Revolucioni i teknologjisë së shekullit 21 është thelbi: ndryshimi në botën reale, për mirë apo për keq.
Pse progresistët e kanë të vështirë të përballojnë këtë sfidë? Pse pretendojnë se e kuptojnë këtë sfidë dhe më pas e shmangin duke i përqendruar diku tjetër idetë dhe energjinë e tyre?
Për të njëjtën arsye që ishte aq e vështirë për Laburistët që të braktisin Klauzolën IV dhe angazhimin për shtetëzimin masiv të mjeteve të prodhimit në vitet 1980 dhe 1990. Ishte një pështjellim i vlerave të qëndrueshme me mekanizmat e vjetëruar - një dështim për të kuptuar natyrën e sfidës shoqërore dhe ekonomike bashkëkohore dhe një ngurrim i thellë psikologjik për të hequr dorë nga një e kaluar e vjetëruar. Do të thotë heqje dorë nga vjetërsinat. Kjo botë e re nuk kërkon një Shtet të Madh në vetvete, por një shtet strategjik dhe aktiv i cili është i mirë në zgjidhjen e problemeve dhe i mirë në promovimin e përfshirjes sociale dhe dinamizmit ekonomik në të njëjtën kohë. Ajo do të sfidojë të gjithë ata që nuk përshtaten me ndryshimet, duke përfshirë biznesin e madh me një mentalitet konvencional të centralizuar, ose sindikatat që nuk mund të përshtaten me idenë e mobilizimit të punëtorëve në ekonominë e re. Një mori firmash të vogla dhe të vetëpunësuarit do të jenë qendrorë, jo periferikë në të ardhmen.
Eshtë e njëjta gjë me shërbimet publike. Mënyra se si ne mësojmë dhe sigurojmë kujdesin mjekësor dhe edukimin do të ndryshojë në mënyrë dramatike, dhe për këtë arsye mënyrat e vjetra të punës do të bien. Do të nevojiten forma të reja të pronësisë shoqërore për të trajtuar krizën e strehimit. Zgjidhjet shpesh do të jenë praktike; disa më shumë lidhen me mendimin tradicional të majtë, por disa më shumë me mendimin modern të qendrës së djathtë. Kjo do të kërkojë respektim të patundur të vlerave, por agnosticizëm të plotë për sa i përket mënyrave të zbatimit të tyre.
Mendimi i radikalëve të rinj të majtë në të gjithë Perëndimin - i cili është në fakt rizbulimi i politikës së majtë nga një brez i ri frymëzuar nga marksizmi i viteve 1960 - është kryesisht i panevojshëm si reagim ndaj sfidës. Pronësia publike e industrisë, shkollimi "falas" në universitet, rregullim (regulations)shumë më i rëndë - të gjitha këto zgjidhje tradicionale, si dhe politikisht sfiduese, nuk do të ndikojnë materialisht në jetën e njerëzve, madje as në një përqindje të vogël krahasuar me nivelin e ndryshimeve teknologjike, dhe mund të jenë regresive nëse ato zvogëlojnë fuqinë e lëvizshmërisë sociale dhe aspiratat shoqërore. Ata duken "radikalë" sepse vijnë nga një e majtë tradicionale e cila i paraqiti si të tillë, por politikisht ata tani janë kryesisht pjesë për muze, relike të mbetura të ideologjisë së vjetër.
Nuk është se çështjet tradicionale nuk kanë rëndësi; është vetëm se ato janë të rendit të dytë në krahasim me ato që shoqërojnë revolucionin. Sigurisht, ne duhet të përcaktojmë nivelet e taksimit dhe shpenzimeve, rregullimin e duhur dhe atë që shteti bën dhe nuk bën. Dhe do të ketë zgjedhje politike dhe shkëmbime për të cilat demokracia do të vendosë. Por të gjitha këto zbehen në parëndësi përballë çështjes se si e trajtojmë pafundësinë gjithëpërfshirëse të ndikimit të ndryshimeve moderne teknologjike. Pra, ne mundemi, dhe pa dyshim që do të kërkojmë më shumë shpenzime publike për Kujdesin shëndetësor Publik. Por një sfidë më e madhe e reformës është mënyra se si ne përdorim teknologjinë për të ndryshuar diagnostikimin, parandalimin dhe shëndetin publik.
Në mënyrë të ngjashme, trajtimi i ndryshimit të klimës mund të arrihet vetëm përmes aplikimit të shkencës dhe teknologjisë. Në veçanti, do të kërkojë një revolucion në mënyrat e transportit dhe infrastrukturës së transportit për të nxitur elektrifikimin dhe një kalim nga aviacioni në hekurudhën me shpejtësi të lartë. Nëse sistemi hekurudhor është në pronësi publike ose private ka një fraksion të rëndësisë në raport me shpikjen gjatë dekadës së ardhshme të teknologjisë hekurudhore të gjeneratës së re dhe rritjen e numrit të automjeteve elektrike, pa shoferë, me të gjitha efektet dytësore në punë, sigurime dhe lëvizshmëri.
Në lidhje me arsimin, mënyra se si e shfrytëzojmë mundësinë e mësimdhënies dhe të mësuarit në internet për të ndryshuar mënyrën e edukimit të të rinjve tanë, dhe se si për pasojë evoluojnë aftësitë e mësimdhënies, do të vendosë nëse jemi një komb i arsimuar apo jo në të ardhmen. Dhe kombet që janë lëvizësit e parë do të kenë një avantazh joproporcional.
Mund të shfletoni nëpër katalogun e politikave, nga krimi te mbrojtja te mjedisi, dhe në çdo rast potenciali i ndryshimit teknologjik është i madh dhe revolucionar. Kjo është e ardhmja. Por, nuk mund ta organizoni të ardhmen me një manual të së kaluarës.
Pikërisht sepse një brez i ri po kërkon politika radikale, siç bën çdo brez i ri, dhe sepse ata nuk po e gjejnë atë në një mesazh ekonomik i cili nuk entuziazmon, progresistët kanë përfunduar te çështjet rreth kulturës, gjinisë, racës dhe identitetit. Trajtimi me sukses i këtyre çështjeve është një sfidë po aq e madhe për progresistët modernë.
Një pjesë e madhe e mendimit progresiv të moderuar, thjesht dëshiron të largohet plotësisht nga këto çështje kulturore dhe identitare. Të moderuarit - shpesh të një brezi të vjetër - nuk e kuptojnë mjaftueshëm forcën e ndjenjave mbi çështje të tilla si të drejtat e transgjinorëve. Ata nuk u besojnë sensorëve të tyre dhe kanë frikë se ngatërrohen ose të thonë gjënë e gabuar, dhe kështu kanë ardhur te një pozicion që në thelb thotë: nuk ka luftë kulturash, në çdo rast ne nuk po luajmë në të, ose nëse ka dhe jemi të detyruar për të marrë pjesë, ne do të jemi në prapavijë, sa më qetësisht të jetë e mundur.
Unë besoj se ky është një gabim, dhe thjesht përforcon perceptimin e të qënit njerëz të dobët të cilët në të vërtetë nuk qëndrojnë për asgjë. Dhe, siç e di nga një jetë në politikë, sado drejtues i suksesshëm të jesh, jo gjithmonë do jesh në gjendje të përcaktosh agjendën. Ti mund të vendosësh cila është përgjigjia, por nuk mund të vendosësh gjithmonë cila është pyetja. Kundërshtarët tuaj politikë kanë fjalën e tyre dhe, më e rëndësishmja, edhe publiku ka të njëjtën të drejtë.
E djathta e di se ka diçka që punon për ta te këto çështjet kulturore. Ata po e shijojnë këtë fakt dhe po vendosin kurthe për të majtën në të gjithë fushëlojën, kurthe në të cilat e majta po bie, njërin pas tjetrit. (Ose jo. Një moment kyç për Biden-in ishte kur ai u nda plotësisht prej "ç'financojeni Policinë", ndërsa mbështeste reformën e policisë.)
Mbajtja e kokës ulur nuk është strategji. Po zhvillohet një betejë e madhe e kulturës. Progresistët sikur trullosen para termave të tillë si "racizëm" dhe "politikisht korrekt", por publiku normal e di saktësisht se çfarë duan të thonë. Dhe beteja po zhvillohet në një terren të përcaktuar nga e djathta, sepse progresistët e ndjeshëm nuk duan të jenë fare në fushë. Pasoja e kësaj është që progresistët "radikalë", të cilët janë mjaft të lumtur të luftojnë në atë terren, mbajnë stafetën e standardit progresiv. Fakti që kjo siguron vazhdimin e fitores së të djathtës nuk i pengon aspak. Përkundrazi, kjo u jep atyre një ndjenjë të lartësuar drejtësie, dofarë kamikazësh politikë.
Politika progresive duhet ta çnyjëtojë këtë lëmsh kulturor dhe të hyjë në një terren të cilin e njeh dhe mund ta mbajë edhe me mbështetjen e publikut. Nuk është e pamundur. Por kërkon mendim të thellë dhe guxim politik. Këtu po parashtroj disa parime me anë të të cilave mund të arrihet në një terren të tillë.
Njerëzve nuk u pëlqen që vendi i tyre, flamuri i tyre ose historia e tyre të përçmohen. E majta gjithmonë hutohet nga kjo ndjenjë dhe supozon se kjo do të thotë që njerëzit mbështesin gjithçka që ka bërë vendi i tyre ose mendojnë se e gjithë historia e tyre është e shenjtë. Nuk është ashtu. Por, ata janë skeptikë ndaj të imponuarit të të menduarit të sotëm mbi praktikat e djeshme; ata dyshojnë se pas agjendës së shumë luftëtarëve të kulturës në të majtë qëndron një ideologji që ata e shohin si të huaj dhe ekstreme; dhe ata janë instinktivisht brilantë në dallimin midis sentimentit dhe veprimit. Ata do t'i mbështesnin fuqimisht fushatat kundër racizmit; por ata rrëqethen nga një pjesë e gjuhës dhe veprimeve të skajeve të lëvizjes Black Lives Matter. Mund të skanoni tiradën e të gjitha kauzave moderne dhe të hasni të njëjtën gjë - nga Extinction Rebellion te të drejtat e transgjinorëve- në të njëjtën mënyrë.
Njerëzve u pëlqen logjika e shëndoshë, proporcioni dhe arsyeja. Ata nuk i pëlqejnë paragjykimet; por atyre nuk u pëlqen as ekstremizmi në luftimin e paragjykimeve. Ata mbështesin policinë dhe forcat e armatosura. Kjo nuk do të thotë se ata mendojnë se këto institucione nuk kanë probleme. Aspak. Por ata janë të kujdeshëm para atyre që përdorin çdo shkelje për të përlyer të gjithë institucionin. Dhe ata presin që udhëheqësit të shprehin mendimin e tyre, jo mendimin e nënkontratuar të grupeve të presionit, pa marrë parasysh sa të denjë janë.
Kursi i saktë për progresistët në çështjet e kulturës është të pajtohen me arsyen dhe moderimin. Të jesh intolerant ndaj intolerancës - duke thënë se mund të mos pajtohesh, pa kaluar në denoncim. Të kërkosh unitet. T’i shmangesh politikës së sloganeve dhe gjesteve pa akte. Dhe kur të akuzohen se nuk po i mbështesin sa duhet kauzat - gjë që është e pashmangshme - të mbrojnë veten duke e bërë të qartë se ata nuk mund të intimidohen apo bullizohen. Kjo do t'u kushtojë ca vota mes një pakice të zëshme; por do t'i afrojë me qendrën solide, dhe shpesh të heshtur. Dhe, sigurisht, kjo do të lejojë që vetë kauzat të ndiqen në mënyrë efektive, siç bëri qeveria e fundit Laburiste me revolucionin e saj në të drejtat e homoseksualëve dhe rrugën drejt martesës së barabartë - dhe konvertimin e detyruar të Partisë Konservatore drejt të njëjtit qëndrim.
Partia Laburiste është mishërimi i kësaj sfide progresive. Vetëm 17 muaj më parë ajo shkoi drejt ekstremit të majtë dhe pësoi disfatën më të rëndë në historinë e partisë. Tani ka zëvendësuar Jeremy Corbyn-in, një politikan klasik proteste, plotësisht i papërshtatshëm për udhëheqje, e lëre më për qeverisje, me Keir Starmer - Sir Keir - inteligjent, i aftë, mendje-moderuar. Ai ka marrë një qëndrim të fortë kundër njollës së antisemitizmit nga epoka e Corbyn-it, ka qenë përgjithësisht i arsyeshëm me kritikat për trajtimin nga qeveria të Covid-19, dhe duket e tingëllon i arsyeshëm. Por, ai ka vështirësi me depërtimin te publiku dhe zgjedhjet e javës së kaluar u bënë një pengesë e madhe.
Partia Laburiste tani po tund kokën e saj kolektive në vramendjen se pse zëvendësimi i një ekstremisti me dikë më të moderuar nuk po arrin mrekullinë e rilindjes. Madje po pyet nëse Keir-i është udhëheqësi i duhur.
Por Partia Laburiste nuk do të ringjallet thjesht nga ndryshimi i udhëheqësit. Ka nevojë për dekonstruksion dhe rikonstruksion total. Asgjë më pak se kaq nuk mjafton.
Aktualisht, Laburistja shpreh në mënyrë të përsosur dilemën progresive. Corbyn-i ishte radikal, por jo i arsyeshëm. Keir-i duket i arsyeshëm, por jo radikal. Atij i mungon një mesazh ekonomik tërheqës. Dhe mesazhi kulturor, sepse ai nuk po e sqaron, po përcaktohet nga e majta "anti-raciste", çdo deklaratë e së cilës pritet me gëzim nga e djathta. Po kaq rëndë është edhe mesazhi "shpenzoni më shumë", ndërkohë që qeveria Konservatore po shpenzon në nivele rekord. Dhe trashëgimia nga manifesti Laburist i vitit 2019 - një program 1 trilionësh - është një albatros i madh, i shoqëruar nga argumenti i zakonshëm, i gabuar në të majtë, që çështjet e ndara dalin mirë në sondazhe (është gjithmonë kështu, por efekti i tyre kumulativ është vdekjeprurës).
Në çështjet kulturore, njërën pas tjetrës, Partia Laburiste po shtyhet drejt pozicionesh anti-elektorale. Një parti progresive që kërkon pushtet dhe që sheh me përçmim njerëz si Trevor Phillips, Sara Khan ose JK Rowling nuk do të fitojë. Politika progresive duhet t'i debatojë këto çështje kulturore urgjentisht dhe hapur. Duhet t'u rezistojë fort atyre që do përpiqen ta mbyllin debatin. Dhe të fillojë kërkimet për një koalicion të ri qeverisës. Të gjitha provat janë se ajo mund ta bëjë këtë vetëm duke ndërtuar mbi terrene centriste.
Partitë progresive duhet të modernizojnë mesazhin ekonomik. Ato gjithashtu kanë nevojë për një mesazh unifikues shoqëror dhe kulturor. Partitë Konservatore të politikës perëndimore janë përshtatur. Por ato të gjitha po gjejnë një koalicion të ri ekonomik dhe kulturor.
Ndërkohë, partitë e majta po fraksionohen, partitë e Gjelbra po rriten, por rrallë janë të afta të fitojnë pushtetin, dhe një brez i tërë talentesh që nuk janë Konservatorë nuk mund të gjejnë një shtëpi politike. Tani për tani, Partia Laburiste nuk mund të përmbushë misionin e saj historik. Kufizimet e saj kanë qenë aty që nga fillimi, veçanërisht largimi nga tradita e madhe Liberale e Britanisë - Gladstone, Lloyd George, Keynes, Beveridge. Me përjashtim të periudhës së Neë Labour-it, ajo kurrë nuk ka arritur të jetë në qeveri më shumë se gjashtë vjet; dhe rruga pa krye e ndjekur gjatë dekadës së kaluar i ka bërë ato kufizime më të thella, ndoshta endemike.
Politikanët progresivë, të hapur ndaj magnitudës së sfidës dhe ndryshimit, mund të gjenden në Partinë Laburiste, te Liberal-Demokratët dhe në radhët e 'të pastrehëve politikisht'. Pa dramën devijuese të spekulimeve rreth partive të reja politike, ne kemi nevojë për një lëvizje të re progresive; një axhendë të re progresive; dhe ndërtimin e një koalicioni të ri qeverisës.
Ndërtimi i kësaj lëvizjeje të re progresive duhet të fillojë me një dialog të hapur midis antarëve të ngjashëm në mendime ndër Laburistët dhe Lib Dems-at apo dhe të paangazhuarve politikisht. Përndryshe, ne do të jemi në biznesin e zymtë të luftës me një kauzë të paqartë, me duar të lidhura pas shpine, në një terren që nuk e kemi zgjedhur, në një betejë që nuk mundemi ta fitojmë, kundër një armiku që nuk e meriton të triumfojë; dhe duke shpresuar se një humbje tjetër do të sjellë qartësinë e qëllimit të cilin duhet të përqafojmë që tani. Gjë që nuk do të ndodhë.

Përkthimi nga Anglishtja: Politiko.al

Të fundit