Flash News

KRYESORE

‘Ndërmarrjet shtetërore dhe PPP kanë shtuar rreziqet’/ Mesazhet kryesore të BB për Shqipërinë

‘Ndërmarrjet shtetërore dhe PPP kanë shtuar

Pritet një ngadalësim i ekonomisë shqiptare me 2.9 përqind këtë vit për shkak të uljes së prodhimit të energjisë nga pakësimi i reshjeve.

Kështu raportoi sot Banka Botërore në prezantimin e Raportit Ekonomik Rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një faktor i shtimit të rreziqeve janë projektet e partneriteti publik privat, ose PPP-të, tha ekonomistja e BB, Ilda Shijaku. Banka Botërore po harton një raport për PPP-të, ku po analizohen kostot dhe performanca e kontratave. Banka rekomandon që të ketë shumë përfshirje të qeverisë në instrumentet PPP.

Lehtësitë fiskale janë një tjetër aspekt shqetësues sipas BB.

“Ne i kemi kërkuar qeverisë kostot për çdo iniciative fiskale dhe të publikojë një raport periodik për rezultatet e këtyre politikave dhe kush përfitoi”, tha Shijaku.

Raporti i BB për Shqipërinë, mesazhet kryesore:

Ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të ngadalësohet në 2.9 përqind në vitin 2019, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë elektrike nga pakësimi i reshjeve.

Tregu i punës vijon të përmirësohet dhe papunësia arriti një nivel të ulët historik prej 11.5 përqind në Qershor 2019.

Mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndihmuan në reduktimin e borxhit publik, por rreziqet e shpenzimeve jashtë bilancit, psh. nga partneriteti publik-privat, janë në rritje.

Rritja ekonomike, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, pritet të forcohet në rreth 3.5 përqind në periudhë afatmesme.

Ngadalësimi i rritjes së ekonomisë botërore ka të ngjarë të ndikojë negativisht rritjen e eksporteve gjatë periudhës afatmesme, duke rritur kështu ekspozimin ndaj rreziqeve të jashtme dhe të vendit.

Për të mbajtur nën kontroll ndikimin e këtyre rreziqeve, Shqipëria duhet të ruajë konsolidimin fiskal, të rrisë efikasitetin e shpenzimeve publike dhe të zbatojë reforma strukturore që forcojnë rritjen ekonomike.

Të fundit