Flash News

KRYESORE

Ndërroi jetë në zyrë, deputeti i PS dedikim prekës drejtorit të Hipotekës: Na është mpirë mendja e goja ka heshtur, ike larg...

Deputeti i PS, Alket Hyseni i ka dedikuar një status prekës humbjes së mikut të tij, Armand Hysi.

44-vjeçari humbi jetën dje papritur në zyrën e tij ku drejtonte Hipotekën e Sarandës dhe paraprakisht dyshohet se pësoi infarkt.

“Të humbëm o shoku i rrallë, buzagas e zemërbardhë, i matur dhe i sjellshëm, drejtuesi dhe menaxheri i përkushtuar, aktivisti i paepur që kishe një rrugë të gjatë karriere”, shkruan ndër të tjera deputeti Hyseni.

Statusi i plotë:

Na ike larg o Mand...

Paketat hedhur pirg në tavolinën e mortit tënd nuk e kalojnë dot pirgun e dhimbjes në zemrat tona o shok i shtrenjtë.

Njerëzit pambarim që ngjisin shkallët drejt të pabesueshmes, përpiqen ti japin kurajo e ndajnë dhimbjen me Hysenin dhe familjen tënde vlla.

Na qan shpirti dhe zemra, na është mpirë mendja e goja ka heshtur, nuk gjejmë fjalë për të shprehur dhimbjen.

Por kemi shumë për të thënë për Ty Mandi, vëllai i dashur, djali model i dy prindërve të nderuar e babai shembull i tre fëmijëve engjëj, pedagogu i shkëlqyer dhe biznesmeni brilant, si Brilanti që ngritët me aq mund.

Të humbëm o shoku i rrallë, buzagas e zemërbardhë, i matur dhe i sjellshëm, drejtuesi dhe menaxheri i përkushtuar, aktivisti i paepur që kishe një rrugë të gjatë karriere.

Saranda humbi këshilltarin e saj të vyer dhe birin që e donte shumë, që kishte shumë ëndërra dhe projekte e kishte shumë për t’i dhënë qytetit dhe shoqërisë.

Sot do të përcjellim fizikisht e do të themi lamtumirë, por s’do të të harrojmë kurrë o shok, o mik, o vlla.

Rruga e bardhë për atje lart e larg...o Mand!

Përveç detyrës si drejtor i Hipotekës, Hysi ishte pedagog në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës.

Hysi nuk kishte pasur më parë probleme shëndetësore dhe sipas miqve të afërt nuk ka pasur ankesa për shëndetin.

Të fundit