Flash News

KRYESORE

Ndërtimi në lumin Vjosë, Xhafaj shkarkon dhe kallëzon tre drejtues të lartë të Policisë së Gjirokastrës

Ndërtimi në lumin Vjosë, Xhafaj shkarkon dhe kallëzon tre

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shkarkuar nga detyra tre drejtues të lartë të Policisë së Gjirokastrës, përgjegjës për Përmetin dhe Këlcyrën.

Vendimi është marrë për shkak të ndërtimit që po kryente biznesmeni Hari Lena në Këlcyrë, në lumin Vjosë, dhe ngjarja nuk ishte denoncuar deri kur folën aktivistët e shoqërisë civile.

Kështu, konstatimi i grumbullimit të materialeve dhe fillimit të punimeve në këtë vend për devijimin e një burimi natyror uji, është bërë në datë 5 shtator 2017 nga grupi i kontrollit të territorit të Postës së Policisë Këlcyrë. Megjithatë ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjëse, nuk u kryen veprimet proceduriale dhe nuk u referua çështja në Prokurori. Drejtuesit e Drejtorisë Vendore nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit. Kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor është detyrë e strukturave të Policisë Vendore.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:

  • U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;
  • U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;
  • U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;
  • U dha ‘Vërejtje me paralajmërim’, për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa;
  • U dha ‘Vërejtje’, për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme pas veprimeve hetimore, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për punonjësit e Policisë:

  • Kryekomisar Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet;
  • Nënkomisar Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë;
  • Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.

Në reagim të kësaj problematike ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përmes një letre dërguar drejtuesve të Policisë së Shtetit, dënon ashpër mos reagimin e strukturave përgjegjëse në kohën e konstatimit të punimeve, duke nënvizuar nevojën për kontrollin e territorit dhe tërheq vëmendjen e strukturave vendore të policisë lidhur me përgjegjësinë ligjore që ato kanë për parandalimin, evidentimin dhë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, të cilat lidhen me ndërtimin në territor, si dhe me ruajtjen e mjedisit.

Ministri Xhafaj tërhoqi vemendjen e drejtorëve të policisë së qarqeve për rikonceptimin e një marrëdhënieje të re në shërbim të qytetarëve dhe kërkoi nga Drejtori i Përgjithshsëm i Policisë kryerjen e analizave të veçanta me gjithë strukturat vendore për reflektimet e duhura.

 

Të fundit