Flash News

KRYESORE

Ndeshja Shqipëri-Izrael, 670 forca policie në Elbasan; monitorim edhe të rrjeteve sociale

Ndeshja Shqipëri-Izrael, 670 forca policie në Elbasan; monitorim edhe

Policia e Shtetit ka bërë të ditur planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Izrael, që do të luhet të premte në orën 20:45 në stadiumin  “Elbasan Arena”.

Policia thotë se, me qëllim garantimin e plotë të sigurisë së ndeshjes së futbollit, do të angazhojë rreth 670 forca policore. Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale si dhe Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara.

“Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sa i takon tifozëve policia thotë se do të kontrollohen në portat hyrëse të stadiumit dhe krahas biletës duhet të ketë me vete edhe dokument identifikimi.

Policia fton sportdashësit të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes ndërsa bën të ditur se lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 të datës 07.09.2018, do të mbyllen ndërsa do të bllokohen edhe disa akse rrugore.

Të fundit