“Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen”, Rama reagon pas deklaratës së Metës: Listat do hapen me zakon e me karton

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, gjate nje seance parlamentare, ku eshte miratuar projektligji Per regjistrimin, klasifikimin, menyren e perdorimit dhe kontrollin te mjeteve lundruese me motor me tonazh nen 20 NT.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pasi bien ndesh me Kushtetutën.

Me një shënim në Twitter, Rama thekson se “Askund nuk bëhet referendum për këto çështje”.

Duke theksuar se ‘as sistemi s’do ndryshojë,as koalicionet s’do ndalohen’, Rama ka deklaruar se “listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!”.

Reagimi i Ramës

IM thotë ndryshimi i sistemit,heqja e koalicioneve,hapja e listave bëhen vetëm me referendum!Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë,as koalicionet s’do ndalohen,po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!

Ndërsa Meta në konferencën për shtyp u shpreh:

“Iniciativa është antikushtetuese, sepse procedura parlamentare për ndryshimet është në kundërshtim flagrant me kushtetutën, sepse gjatë gjendjeve në marrjen  e masave të jashtëzakonshme nuk ndryshohen kushtetuta, ligjet për zgjedhjet dhe masat e jashtëzakonshme.

Asnjë ndryshim i kushtetutës nuk merret në kohën e vendosjes së marrjes së masave të jashtëzakonshme.

Në 15 qershor kur u dorëzua nisma vendi ishte në gjendje të emergjencës.

Neni 96 i kushtetues nuk është ndryshuar asnjëherë, as në 2008 e as në 2016, që njeh organizimin e partive në koalicione, ai nen është vënë që në referendumin e 1998 nga shqiptarët dhe është i paprekshëm.

Kjo thellon konfliktin politik në vend dhe atë institucional, që kanë qenë shqetësuese.  Si garant i kushtetuese u bëj thirrje për përgjegjshmëri dhe reflektim dhe siguroj qytetarët se do të ushtroj përgjegjësitë e mia kushtetuese, për të frenuar, paralizuar dhe zhvlerësuar veprim të tillë të paprecedentë në 3 dekada pluralizmi, nuk do të njihet nga Presidenti një akt i tillë.”