Flash News

KRYESORE

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha: S'ka formulë që e shpëton Ramën! Do kontestojmë çdo gjë që shkel 5 qershorin

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha: S'ka formulë që e

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar seancën e sotme për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke u shprehur se: “Opozita do kontestojë çdo ndryshim antikushtetues”.

Gjatë një takimi me bizneset në rrugën “Myslym Shyri”, Basha tha se qeverinë e Ramës nuk ka asnjë formulë që e shpëton nga humbja e zgjedhjeve.

“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë është arsyeja pse kjo bandë e ka katandisur kështu vendin. Hapat që merren sot janë thellësisht antikushtetues. Analizën e kanë bërë ekspertët e PD, por ky është tmerri dhe frika e Ramës nga procesi zgjedhor. S’ka formulë që e shpëton nga votimi popullor sikur vetëm nga premtimet e pa mbajtura ai do largohet me votë plebishitare nga shqiptarët”, tha Basha.

Deklarata e plotë e Bashës:

Gjatë mëngjesit të sotëm kam vizituar një numër të madh biznesesh të vogla në Rrugën e Durrësit dhe këtu në Rrugën “Myslim Shyri”. Për banorët e Tiranës dhe jo vetëm, këto njihen si dy rrugë me numrin më të madh të bizneseve, dhe mund të them ndër bizneset më të vjetra në këto 30 vite ekonomisë së tregut. Unë kam qenë vetë dhe kam biseduar me ta. Po të keni mundësi shkoni dhe bisedoni me ta. Gjendja është katastrofë.

E para, ato pak biznese që kanë marrë një ndihmë minimale gjatë kohës së karantinës, siç e kanë marrë e kanë dorëzuar për sigurimet dhe për pagesat e tjera. Taksat e bashkisë i kanë paguar kokërr më kokërr. Konsumi ka rënë në pikatë. Pra, shumica e bizneseve më kanë thënë në një bisedë të lirë që kanë 4-5 ditë që nuk bëjnë asnjë lekë xhiro.

Me përjashtim të vetëm ku gjeta punonjës, të gjithë të tjerët i kishin hequr punonjësit nga puna dhe ishin të vetëpunësuarit, pronarët e bizneseve që kishin marrë përsipër të administronin biznesin e përditshëm, sepse nuk ia dilnin dot të paguanin pagat e personave që mbanin në punë deri para pak muajsh.

Tani, imagjinoni një situatë të tillë në qendër të Tiranës, në zonën me konsumin më të lartë, se këtu është zona me fuqinë blerëse më të lartë krahasuar me çdo vend tjetër të vendit dhe çdo qytet tjetër të vendit, krahasuar dhe me lagjet e tjera të Tiranës, imagjinoni se si është gjendja kudo tjetër.

Jo vetëm që nuk po pakësohet numri i atyre që humbin vendin e punës, por po shtohet në mënyrë të përditshme.

Jo vetëm që bizneset nuk po ngrenë kokë, por po vazhdojnë të zhyten në një krizë ciklike e cila sa vjen dhe thellohet.

E vetmja gjë e sigurt është që do të vijë fatura e taksave. E vetmja gjë e sigurt është që do të vijë fatura e dritës, korrentit, ujit; por asnjë ndihmë, asnjë masë, asnjë plan për të përballuar situatën ekonomike. Të harruar dhe të braktisur nga qeveria.

Po bëhet java, kur ne kemi propozuar një plan me 5 pika për t’i dalë përpara të keqes që po vjen, me një fuqi edhe më të madhe sesa ajo që kemi kaluar në këto 6 muaj, me një fuqi më të madhe shkatërruese për ekonominë në veçanti, natyrisht edhe për shëndetësinë.

Në këtë plan me 5 pika, kemi propozuar një çek 1 mijë euro për çdo biznes në këto 6 muaj. Këto para mund të përdoren shumë mirë për të lehtësuar sado pak situatën e krizës, për të paguar faturat e akumuluara të korrentit, ujit, për të paguar apo likuiduar taksat dhe kur është e mundur për të mbajtur në punë njerëzit, në vend që t’i nxjerrin nga puna.

Pjesë e kësaj pakete është edhe një 200 mijë lekësh për çdo biznes që rimerr në punë ata që i ka larguar nga puna.

Ja këtu ku jemi janë 6 apo 7 biznese të mbyllura, këto kanë falimentuar.

Por në krah të tyre janë biznese të tjera që po bëhen gati të mbyllin dyert sepse s’ia dalin më. Dhe tre biznese më andej është dikush që më tha se kishte hequr dy vajza nga puna, “merrnin një pagë minimale por i kam hequr nga puna”.

Ky biznes, si çdo biznes tjetër në Shqipëri që ka të njëjtën situatë, do të rimerrte në punë këto dy vajza që i ka hequr nga puna me planin tonë do të përfitonte një 200 mijë lekësh të vjetër përgjatë 6 muajve të ardhshëm.

Kjo do të ishte e mjaftueshme për t’iu paguar atyre një pagë minimale dhe për të paguar detyrimet, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por të paktën ato dy vajza nuk do të ishin pa punë, pa lekë në shtëpi apo në kërkim të një pune tjetër por do të kishin një pagë minimale.

Kjo në vetvete nuk do të ndihmonte vetëm ato dy vajza por do të ndihmonte edhe konsumin sepse sot e dimë fare mirë që në dyqane nuk po merret dot as me lista, jo më me lek.

Pra, injektimi i këtyre parave duke ndihmuar sipërmarrjen, duke ndihmuar ata që kanë humbur vendin e punës dhe duke ndihmuar ata që rimerren në punë do të ndihmonte edhe ekonominë, do të ishin para që do të futeshin në konsum. Ky është plani jonë me 5 pika për t’u përballur me pandeminë.

Për fat të keq dëgjoni një njeri krejtësisht të papërgjegjshëm që dje i shtriqur nga kolltuku i makinës përsëriste refrenin e vjetër të maskës, lani duart, etj. Por asnjë plan, asnjë masë konkrete për tu përballur me situatën e rëndë ekonomike

A e dini përse?

Sepse vazhdon të harxhojë dhjetëra milionë euro të taksave që ua ka marrë këtyre bizneseve për të pasuruar një grusht klientësh dhe oligarkësh të tij. Kjo është arsyeja.

Arsyeja e vetme përse Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka një paketë të tretë dhe të katërt masash për të ndihmuar biznesin, është sepse ka një qeveri dhe një kryeministër që paratë e taksave të shqiptarëve i vjedh dhe i shpërdoron me një grusht oligarkësh në shifra të lahhtarshme që nuk i kam nxjerrë unë, nuk i ka nxjerrë PD, por i ka nxjerrë KLSH. Vetëm me prokurime 300 milionë euro. Vetëm me prokurime publike KLSH ka nxjerrë 300 milionë Euro abuzime.

E gjithë paketa jonë që parashikon:

• 1 mijë euro çek për çdo biznes të vogël.

• 200 mijë lek të vjetra pagesë për çdo njeri që rimerret në punë,.

• 160 mijë lek të vjetra për çdo njeri që ka humbur punën

• 20 mijë lek të vjetra për çdo pensionist për gjashtë muaj me rradhë, muaj për muaj.

E gjithë kjo paketë kushton 312 milionë euro. Ndërkohë që vetëm me prokurimet KLSH ka kapur një abuzim prej 300 milionë eurosh.

Prandaj dua ta përsëris edhe një herë, Shqipëria i ka mundësitë të bëjë të paktën sa ç’bënte Kosova, i ka mundësitë të bëjë të paktën sa ç’bënte Maqedonia, mjafton që në këto kohë pandemie, të paktën në 6 muajt e tij të fundit Edi Rama të ndalë vjedhjen dhe shpërdorimin e taksave të shqiptarëve.

Pyetje: Kryeministri pretendon se ju e keni propozuar këtë paketë z.Basha për shkak se nuk jeni në qeveri, sepse po të ishit në qeveri nuk do ta zbatonit këtë paketë.

Lulzim Basha: Po të ishim në qeveri për të zbatuar paketën e 11 marsit ekonomia nuk do të ishte në këtë gjendje, nuk do të kishte këtë rënie, por do të ishte të paktën në gjendjen që është ekonomia e vendeve të rajonit. Po të ishim ne në qëveri, paratë nuk do të shkonin për inceneratorë, nuk do të shkonin për rrugë që ndërtohen me pesë fishin e çmimit, por do të shkonin për të ndihmuar njeëzit që kanë humbur vendet e punës, do të shkonin për të ndihuar sipërmarrjen, do të shkonin për të dihmkuar shëndetësinë dhe plani që propozuam më 11 mars po të ishte zbatuar, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot.

Çfarë ka kaluar, ka kaluar, sepse disa gjëra duhet t’i pranojmë siç janë, kemi një kryeministër të papërgjegjshëm që e ka mendjen vetëm të tallet, vetëm të gënjejë, vetëm të mashtrojë në funksion të vjedhjes që vazhdon nga mëngjesi deri në darkë.

E vetmja gjë që nuk ndalet në këtë vend, është vjedhja e parave të taksave të shqiptarëve. Më thuaj një vend në botë, ku edhe gjatë pandemisë e ka mendjen për të vjedhur me tendera sekretë.

Më thuaj një vend në botë ku shkulet e gjithë bota për të ndihmuar vendin e goditur nga tërmeti dhe këta vazhdojnë vjedhin me prokurime sekrete dhe me tendera me 4 – 5 fish çmimin.

Prandaj një gjë është e sigurtë

Plani që kemi propozuar është plan që do ta zbatonim po të ishim sot në qeverisje.

Është akoma ky, për tersin e këtij vendi edhe gjashtë muaj në qeverisje.

Këto gjashtë muaj në vend që të vazhdojë vjedhjen siç ka bërë për shtatë vite, kërkesa jonë ëshë, të marrë planin që kemi përgatitur me shumë kujdes, me ekspertët e vërtetë të ekonomisë dhe t’i japë fund vjedhjes dhe këto para t’i çojë tek njerëzit.

Këtë nuk e bëjmë për efekt politik dhe elektoral por e bëjmë nisur vetëm e vetëm nga interesi i shqiptarëve vuajtja e të cilëve po merr përmasa të padurueshme.

Pyetje: Z. Basha, sot në Kuvendin e Shqipërisë votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opozita edhe ditën e djeshme u shpreh kundër, çfarë do të bëni pas votimit të sotëm?

Lulzim Basha: Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë, është një nga arsyet pse kjo bandë e ka vjedhur dhe e ka katandisur Shqipërinë në këtë farë mënyre dhe pjesë e shkatërrimit të institucioneve është edhe shkatërrimi i Parlamentit.

Hapat që duan të hedhin sot në Kuvend janë thellësisht antikushtetues, por mbi analizën që ia kanë bërë fare mirë ekspertët e opozitës, tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës dhe të atyre që e rrethojnë nga procesi zgjedhor.

Nuk ka formulë që do ta shpëtojë Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar popullor.

Sikur vetëm për premtimet e pambajtura dhe për efektin që kanë pasur këto në litarin në fytin e familjeve shqiptare dhe të biznesit shqiptar, Edi Rama do të largohet me votë plebishitare nga shqiptarët.

Pyetje: Dmth do të zbatoni këtë formulë që do të votohet sot, duke besuar se shqiptarët do t’ju votojnë?

Lulzim Basha: Që do të kontestohet çdo hap antikushtetues me të gjitha format dhe mënyrat, kjo s’ka diskutim, çdo hap antikushtetues si ky i sotmi, në kundërshtim me standardet e OSBE-ODIHR, në kundërshtim me 5 qershorin, do të kontestohet, kjo nuk ka pikë diskutimi, por po ju them që nuk ka formulë që ta shpëtojë këtë bandë nga ndëshkimi i njerëzve.

Sot për sot ajo që ka rëndësi është që ne kemi një plan me 5 pika për të ndaluar rënie e një kolapsi edhe më të thellë të ekonomisë ndërsa Edi Rama e ka mendjen ta çojë deri në fund planin e tij për të vjedhur shqiptarët, për të vjedhur dhe shpërdoruar paratë e taksave të tyre, dhe nuk ka asnjë plan për të ndihmuar njerëzit

Njerëzit shumë shpejt do ta japin verdiktin e tyre sepse e bëjnë fare qartë kontrastin e ndryshimit midis opozitës që po bën gjithçka, midis Partisë Demokratike që po bën gjithçka për interesin e njerëzve dhe një bande që e trajton Shqipërinë si çifligun e saj.

Pyetje: Do e cilësoni edhe ju një grusht shteti z.Basha, siç thotë Presidenti?

Lulzim Basha: Çfarë kisha për të thënë për çështjet politike ua thash. Iu lus ta mbani mendjen tek ekonomia, tek halli i përditshëm i njerëzve. Sot që flasim më shumë se gjysma e shqiptarëve do të shtrojnë një tavolinë, ndoshta vetëm me bukë e me diçka fare të thjeshtë, që me shumë siguri i kanë marrë me listë ose me lekë borxh. Ky është halli im, ky është preokupimi im dhe në funksion të kësaj kemi propozuar një plan me 5 pika. Kjo është emergjenca kombëtare. Por hajdutët nuk ka asgjë që t’i shpëtojë.

Të fundit