Flash News

KRYESORE

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD-LSI letër PS-së: Pranoni ekspertizën e OSBE/ODIHR, votimi i njëanshëm rrezikon negociatat

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PD-LSI letër PS-së: Pranoni

Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, përkatësisht përfaqësues të PD dhe LSI në Këshillin Politik i kanë kërkuar mazhorancës socialiste që të të pranohen rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi Kodin Zgjedhor.

Me anë të një letrë drejtuar përfaqësuesit të PS, Damian Gjiknuri, PD-LSI theksojnë se ky qëndrim refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik, si dhe po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Letra e plotë:

z. Gjiknuri,

Këshilli Politik funksion vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.

Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për antarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.

Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit. Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve.

Kujtojmë se Këshilli Politik pritet të mblidhet sot në orën 12:00, për të diskutuar për draftin e dorëzuar nga përfaqësuesit e opozitës, për lista 100% të hapura, si dhe kërkojnë të ruhen koalicionet tradicionale. Ata insistojnë se duhet ndërhyrja e ODIHR-it për mosmarrëveshjet e padakordësuara.

Lexo edhe: 

https://politiko.al/bylykbashi-para-nisjes-se-keshillit-politik-ps-refuzon-ti-drejtohet-odihr-po-rrezikon-negociatat/

Të fundit