Flash News

KRYESORE

Në përgjime me Avdylajn, Rama ‘ngre në qiell’ kryebashkiakun e Shijakut: S’e kam pritur të ishte kaq korrekt dhe i zoti

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një surprizë kryebashkiakun e PS dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Elton Arbana, i njohur më herët si kreu i PS në këtë zonë.

Ndërsa ishte në Shijak në takim me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, Rama tha se është surprizuar nga puna që ka parë te Arbana, për të ndihmuar banorët e dëmtuar.

“Të jesh dy metra dhe të flasësh është me e vështirë se të shkurtrit se ata edhe rrejnë edhe fshihen, kurse të gjatët e kanë të vështirë të fshihen.

Nuk e kam pritur që kreu juaj i bashkisë të jetë kaq i përkushtuar dhe kaq i zoti në punë. E them sinqerisht, kjo punë që ju ra krerëve të bashkive në zonën e tërmetit është sh e vështirë, se është fiks si të të bjerë shtëpia mbi kokë se janë shumë gjera për t’u bërë dhe shumë njerëz që duhen motivuar për të bërë gjithë këto projekte

Se ne shqiptarët nuk shkëlqejmë kur vjen puna për të bashkëpunuar me njëri tjetrin në administratë.

Por jam shumë i surprizuar nga korrektesa, respektimi i afateve se ju shihni vetëm ca bëhet ne tv, këta bëjnë raport dy herë në javë te unë, janë tamam sikur janë në provim. Më vjen mirë se në Shijak kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë që ju ka qëndruar afër, por ka një sens shumë praktik të organizimit të punës dhe përgjegjshmëri të respektueshme për cdo punë që bën”, tha Rama, duke mos kursyer edhe një lloj paralajmërimi për ‘krasitje’.

“Kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të jeni vigjilentë, se ka një problem me këta të rinjtë sot, zgjaten para kohe, nëse i tërheq era nga lart. Por, ne në dorë e kemi, po u zgjat para kohe, i bëjmë një krasitje. Por ky nuk është nga ata që i merr balona lart, ky është me këmbë në tokë”, tha kryeministri.

Kujtojmë se emri i Arbanës doli në përgjimet e gazetës gjermane Bild, teksa dëgjohej duke komunikuar me Artrit Avdylajn, anëtarin e bandës së Shijakut para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017-të, ku i kërkonte që të negocionte me kreun e INUK-ut në Durrës, që t’i hiqte gjobën ndaj një miku të tij.

Megjithatë, ai mohoi ato akuza.

Të fundit