Flash News

KRYESORE

Në shkelje të rregullave, mazhoranca miraton në fshehtësi ligjin që favorizon të pasurit. Opozita hesht

Në shkelje të rregullave, mazhoranca miraton në fshehtësi

Mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama raportohet të ketë votuar në fshehtësi, mbrëmjen e djeshme, ligjin për uljen e tatimit të dividentit për më të pasurit, duke e çuar atë nga 15% në 8%.

Socialistët nuk kanë respektuar afatin që i duhet Komisionit të Ekonomisë për të hartuar raportin përpara se ligji të rishqyrtohet në seancën plenare. Ndonëse duhet 48 orë për këtë procedurë, mazhoranca raportohet të ketë mbledhur komisionin pa praninë e opozitës dhe më pas projektligji është depozituar në Kuvend gjatë mbrëmjes, për t’u miratuar më pas me votë.

Presidenti Ilir Meta, i cili e ktheu ligjin dy ditë më parë, u pyet mbrëmë për këtë veprim të Partisë Socialiste, gjatë vizitës në Pogradec. Meta tha se nuk beson të ketë ndodhur ky veprim, pasi ende nuk janë ftuar zyrtarët e Presidencës për të dhënë argumentat e tyre për kthimin e ligjit.

“Nuk besoj të ketë ndodhur, sepse ka rregulla mjaft të qarta se si funksionohet në Kuvend në raste të tilla. Dhe përfaqësuesit e Institucionit të Presidentit, që ka kthyer këtë projektligj përmes dekretit, ende nuk janë ftuar për të dhënë shpjegimet dhe argumentet e tyre”, deklaroi Meta.

Ndërkohë nga opozita reagimet për këtë vendim të mazhorancës që, sipas presidentit Meta, favorizon ndjeshëm shtresën më të pasur të shoqërisë, kanë qenë të pakta deri mesditën e sotme.

Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë çështje, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është mjaftuar me një reagim të Petrit Vasilit në ‘Facebook’.

“Kryeministri argat i oligarkëve nxori fytyrën e vërtetë sheshit, kur me ligj në Parlament me votat e 74 argatëve të tjerë jua uli përqindjen oligarkëve nga 15% në 8 %. Cdo njeri objektiv dhe gjakftohtë kupton menjëherë se si është i kapur deri në fyt nga oligarkët dhe është thjesht një këlysh i tyre kundër interesave të popullit të cilit ja merr taksat dhe e fut në burg për 5 lek korrent, apo për një shkelje rrugore apo për një tufe qepë në rrugë”, shkruan kreu i Grupit Parlamentar të LSI, duke konfirmuar votimin e djeshëm në Kuvend nga mazhoranca të këtij ligji.

Të fundit