Flash News

KRYESORE

Në Shqipëri si pjesë e Frontex, Antti nga Finlanda: Jam i shqetësuar për fëmijët e trafikuar

Antti është roje kufitare nga Finlanda që së fundmi është vendosur në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë, në kuadër të marrëveshjes me Frontex. Ai tregon se zakonisht punon në kufirin midis Finlandës dhe Rusisë, por së fundimi është vendosur në vendin tonë për të ndihmuar kolegët shqiptarë në identifikimin e dokumentave false, apo në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.

"Emri im është Antti dhe unë jam roje kufitare finlandeze. Zakonisht punoj në kufirin midis Finlandës dhe Rusisë.

Këtu do të ndihmoj kolegët e mi shqiptarë të zbulojnë dokumente të falsifikuara, si dhe viktima të trafikimit njerëzor. Ndërsa 99.9% e njerëzve që kalojnë kufijtë janë udhëtarët me dokumente origjinale të udhëtimit, është detyra e rojeve kufitare që të identifikojnë dhe të ndalojnë atë përqindje shumë të vogël të atyre që përpiqen të kalojnë kufirin duke përdorur pasaporta false.

Nëse zbulojmë një viktimë të trafikimit njerëzor, ne duhet t'i mbrojmë ato, të sigurohemi që ata janë të sigurt dhe se policia mund të mbledhë informata të mjaftueshme për të ndjekur penalisht ata që i trafikojnë. Jam veçanërisht i shqetësuar për fëmijët që mund të bien viktimë e shfrytëzimit", shprehet Antti.

Shqipëria ka firmosur vjet një marrëveshje të rëndësishme me Agjencinë Evropiane e Kufirit dhe Rojes Bregdetare (Frontex). Ish-ministri i Brendshëm shqiptar, Fatmir Xhafaj ka nënshkruar dokumentin që i jep Frontex-it kompetenca të gjera që nuk i gëzon as në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Funksioni i kësaj agjencie është të kontrollojë dhe të ruajë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, dhe në raste krizash apo në situata alarmante rojet e Frontex mund të veprojnë menjëherë për të mbrojtur në kufi sigurinë e unionit.

Ndërkohë, me marrëveshjen e nënshkruar nga Xhafaj, Frontex jo vetëm që do të veprojë në kufijtë e Shqipërisë njësoj si rojet tona kufitare, por do të ketë mundësinë të organizojë aksione edhe brenda territorit shqiptar, çka nuk i lejohet në asnjë prej vendeve të BE-së.

Të fundit