Flash News

KRYESORE

"Në shtëpinë tonë të gjithë lexonin duke pirë duhan, edhe mamaja"

"Në shtëpinë tonë të gjithë lexonin duke

Çfarë po LEXON Jerina ZALOSHNJA?

Jerina Zaloshnja, gazetare dhe botuese, kur pyetet për librat dhe leximet nuk flet, por rrëfen. Këtu, me siguri, mund të thuhet se fillon shenja e qartë e njeriut që, jo vetëm lexon, por e ka këtë akt agjent të brendshëm dhe jo shtysë të jashtme. Rrëfimet e Zaloshnjës fillojnë që nga vogëlia, kur në shtëpinë e saj të gjithë lexonin duke pirë duhan (edhe mamaja), e deri më tash kur ajo rend ndër disa lexime e vende, kapur në pengesat e modernitetit, me kaq shumë informacion dhe kohë kaq pak.

Jerina Zaloshnja duke folur për leximet ofron edhe ajo vetë një lexim. Në vend të një shëtitjeje me një sy në lugjet e kureshtjes.  

 

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Është një fjalor francez “Larousse” botim i 1938-ës, si edhe një “Petit Larousse” i po këtij viti, libra që më shumë sesa fjalorë, mund të përkufizohen si enciklopedi. Larousse-t i kam të trashguara prej babait tim, i cili, për nderim të kohës kur studionte në Liceun e Korçës, por edhe për nevojë ndriçimi të vetvehtes dhe të atyre që i rrinin pranë, le të themi se i mbante këta libra nën jastëk. Për shkak të Larousse-ve të trashë, penjë-lëshuar e fletë- ronitur, me të cilët shpjegonte pothuaj çdo vend e dukuri, ai mbetet një nga njerëzit më të mirë-formuar që kam njohur.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nëse e keni fjalën vetëm për letërsinë, do të përgjigjesha me siguri: vetëm nga autori. Besoj se shkrimtarët e vërtetë, krijuesit, panvarësisht në cilin zhanër shkruajnë, të sjellin librin e duhur. Po më kujtohet tani Ervin Hatibi për shembull, një nga habitë e vërteta të poezisë shqipe, dhe po ju bëj juve një pyetje hipotetike: Në qoftë se sot Hatibi do të botonte një roman policor le të themi, një thriller, apo një dramë me vetëm dy akte, a thua nuk do t’ia lexonim, vetëm e vetëm për faktin se ne jemi për shembull qejflinj të poezisë, dhe kurrësesi jo të thrillerit?

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Aktualisht, në familje ne kemi një biblioteke të përbashkët për të gjithë. Sikundër na ka ndodhur edhe me jetët tona, ashtu na ka ngjarë edhe me librat. Librat i kemi ngatarrepsur keq me të njëri- tjetrit, kështu që, edhe në bibliotekën tonë, unë lexoj me seleksionim; lexoj sigurisht librat që blej vetë dhe që janë shumë, por jo ato të bashkëshortit për shembull, i cili është i ngecur thellë në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare.  

-Libri i parë që keni lexuar…

Besoj ka qënë “Djemtë e Rrugës Pal” nga Ferenc Molnar, Nemeçeku i vogël, i cili, aq i vogël e fat- prishur sa ç’qe, më ka pikuar në zemër. Por edhe “Aventurat e Gozhdës” dhe përpara këtyre ca revista të lezetçme; “Aventurat e Pifit” dhe “ Keci i Pa Bindur Rududu”.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Të them të drejtën, nuk kam kursyer ndonjëherë të blej libra. Librat në familjen time kanë qënë gjithmonë me shumicë. Ky ka qënë një fat tepër i mirë. Problemi im, në fakt, ka qënë tjetër: të mos pasurit e vullnetit të duhur për ti lexuar në kohë, të gjithë. Në fëmijërinë e parë, mbaj mend se të gjithë në familje lexonin duke pirë duhan, sidomos mamaja, dhe nuk para flisnin me mua. Kjo më linte një mbresë të zymtë, ngaqë doja muhabet. Kur u rrita aq sa të kuptoj se, të zotëronte në shtëpinë tonë gjithë ajo qetësi dhe tymnajë ia vlente; koha pat kaluar

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?

Në gjimnaz i ndaja me një çun, shokun tim, i cili lexonte aq shumë, saqë shpesh ngjante me një të çakërritur nga mëndtë e kokës. Ai sot, endet si i ngecur, si i ndarë më dysh ose më tresh rrugëve të botës. Besoj se në këtë fat të tijin, në këtë turrje pa gjetur karar drejt shtigjeve të tjera, kanë ndikuar edhe librat që ka lexuar.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Patjetër, kur mbusha 18 vjeç. Në atë moshë kam kartelën e parë të anëtarësimit në  Bibliotekën Kombëtare, institucion i cili, me thënë të vërtetën, në vitet ‘70 –’80, ngjante më i plotësuar nga ç’ngjan sot. Në vegjëli kam qënë anëtare e bibliotekës së Lagjes 8 këtu në Tiranë. Zonjën që na jepte librat, teta Nikoletën, [Kovaçi] e kujtoj edhe sot plot respekt sepse, ashtu fjalë pak siç qe dhe e drojtur, më dukej gruaja e duhur  në vendin e duhur. Ndoshta, edhe pse nuk qe shqiptare.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

 Po! Biblioteka Kombtare ka qënë vendi ku studioja të shtunë dhe të djelë dhe ku merrja libra gjatë javës. Madje ajo ka qënë pika ime e referimit edhe për xhiron në bulevard. “Ku po shkon?”- “Në bibliotekë.” ; apo… “Ku je?” –“Po ja, te biblioteka.” Edhe pasi kreva shkollën, fundjava ka qënë gjithmonë aty. Edhe sot, është pothuaj i njëjti stil jetese; studim nëpër biblioteka, paçka se bibliotekat janë të ndryshme.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

- Nuk më kujtohet kjo gjë.. por mundet.. ndoshta..

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Jo! ata mund të kenë “humbur” për një kohë nëpër rrëmujën time, por jo përtej shtëpisë. Librat e dashur i kam mbartur gjithmonë me vete, nëpër valixhe.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

Letërsinë shqipe, atë të ekzilit, Camajn, Pipën, Koliqin, nuk kam patur fatin ta gjej e ta lexoj përpara viteve ’90. Letërsinë e ndaluar, Konicën, Fishtën, Harapin etj, po ashtu. Nga Letërsia Shqipe e papranuar zyrtarisht, ruanim të ronitur në bibliotekën e shtëpisë Kutelin e madh dhe Petro Markon; ndërkaq, për fat të keq, nuk kam mundur të lexoj në atë kohë letërsinë e burgjeve. Sa për autorët e huaj të ndaluar.. nuk bëhej fjalë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Është vetëm një njeri që më dhuron libra sot, i cili, me thënë të drejtën, mi di shijet. Ndërsa unë bëj plot dhurata me libra{jo best -seller}, ndër të njohur e të pa njohur, si të vijë. E dhuroj me dëshirë një libër, mjafton ta kuptoj se personi që kam përballë e do letërsinë e mirë. Ndoshta kjo sjellje buron edhe nga fakti se unë në Tiranë kam një Librari timen.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Lezetin e leximit e kam patur dhe e kam gjithmonë shtrirë, e nderur mirë, me jastekun rrëmujë pas qafe. Po ç’ti bësh kur duhet të lexosh apo studiosh me orë të gjata në bibliotekë. Atëhere ngrihem shpesh për t’u çmpirë; për të ardhur në terezi nga gjithë ai sforcim, nga ai pozicion i detyruar prej zyrtari, por nuk është e njëjta gjë.

-A lexoni në banjë?

 Po!!!! E kam patur ves që e vogël. Aq sa babai nxehej gjithmonë sepse e merrte këtë sjellje si mungesë serioziteti ndaj librit. Ai kujtonte se në rastin e banjos unë e e kisha librin si një mjet dhe jo si një qëllim… “Ah, po kjo çupë,” -ankonte... “Kjo nuk do librin... Kjo e do librin o për në banjë, o për të fjetur.”

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

 Anglisht dhe Italisht.

 -Mbani shënime kur lexoni?

Nënvizoj shpesh gjerat e bukura.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Proza është e preferuara ime. Nga autorët që më pëlqejnë kam lexuar pothuaj çdo gjë. Por, po them pothuaj... Bën përjashtim vetëm Kafka. Atë e kam lexuar të gjithin.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

 Janë shumë; Dostojevskin, Tolstojn, Kafkën, Markezin, Yourcenar, Derrida-në, Rosales-in, Kamy-në, Mishima-n, Sartre-n, Pesoa-n, Cioran-in, Remark, Borghes, Theckerey, Bolano, Gombrowicz, Kapuscinski, Michnik… Ju thashë, janë shumë… Nga Letërsia shqipe, do të thoja se duhen lexuar patjetër Kuteli, Camaj...

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Jo. Nuk më vjen ndërmend një titull, një libër i vetëm. Do të sforcohesha shumë po të thoja një titull të vetëm dhe, fakti që do të mundohesha kaq shumë, do të thotë se nuk më vjen i natyrshëm një titull i vetëm për Librin tim Total. Besoj se shumësia e disa prej librave frymë- marrës, do të përbënin Librin tim Total.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

 E bukur kjo!... Po ja.. shpëtoni njëçikë librin “Metamorfoza”{Kafka} do të bërtisja unë… pastaj atë tjetrin.. “Vjeshta e Patriarkut” të Marquez-it, si dhe “Don Kishot”-in” shpëtomani! Por, jeni që jeni, mos e lini të më mbytet për fare ”Ushtari i mirë Shvejk”.

… Po ju, a jeni të sigurtë se librat që duheshin shpëtuar duhej të ishin vetëm tre?

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

 Me thënë të drejtën, nuk mbaj mend ndonjë maksimë.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Për momentin kam këto:

                                  “Nuk të këshilloj

                                   “kape ditën”

                                   çasti i zbrazët

                                   është luksi yt

                                   herë pas here|.”

 … janë vargjet e Preçit {Zogajt}

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Don Kishoti i dashur, marrosja e tij për Dylqinjën, ka qënë i preferuari im i adoleshencës, por nuk mund të rri pa thënë se, në këtë kohë, “mbaroja” fare edhe pas Shvejkut. Kur nuk i kisha në vijë punët e zemrës tërhiqesha prej Juxhin Uitlla-s te “Gjeniu” i Drajzder-it. Për një kohë të gjatë pastaj rashë pas Florentino Arizës, te “ Dashuria në Kohërat e Kolerës” të Marquez. Kohët e fundit po më tërheq fort Gjino te “Ferdydurke”: i Gombrowicz-it. Por Gregor Samsa te “Metamorfoza” e Kafka-s mbetet personazhi im i kryepreferuar.

 -Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Më duket se nuk kam.

-Çfarë po lexoni?

Çdo numër të “Paris Revieë”, për mua, e për -tre – apo katër -muajshmja më prestigjoze mbi Letërsinë botërore dhe, çdo numër që të mundem, të ri a të vjetër nga “The New Yorker”; seksionet e reportazhit, kritikës e tregimit. Jam në lexim e sipër të “The Sense of an Ending” nga Julian Barnes, i cili ndoshta është dhe në variantin shqip; ndërsa mbi komodinë rrinë stivë ca libra, që mi ngec vazhdimisht në dorë librashitësi ynë i cili, meqë ra fjala, është më i miri në qytet.

 

 

Të fundit