Flash News

KRYESORE

Në ‘sitë’ nga OFL, kush janë Lulzim Berisha dhe Ardian Çapja, brenda 48 orësh duhet të justifikojnë pasuritë

OFL zbardhi emrat e dy subjekteve që janë vënë nën shënjestër, në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda.

Bëhet fjalë për Lulzim Berishën në Durrës dhe Ardian Çapjan në Elbasan, dy personazhe të njohur në botën e krimit.

“L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Adria”, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht”, tha përfaqësuesja e OFL.

Kush është Lulzim Berisha?

 

 

 

 

 

 

 

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998.

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Në 2006-ën, Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.

I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, i reduktuar më pas me 25 vjet heqje lirie, në dhjetor 2016 Berisha u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit, pasi sipas avokatit mbrojtës vuante nga një sëmundje e rëndë.

***

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Po ashtu, OFL do të verë në sitë edhe pasuritë e Ardian Çapjas, pjesë e fisit të njohur dhe të skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në Elbasan nuk është një emër i panjohur për policinë.

Ai u ka shpëtuar dy atentateve ku persona ende të paidentifikuar kanë tentuar ta eliminojnë. Ardian Çapja është akuzuar gjithashtu edhe për sulm me armë zjarri ndaj policisë në 2016-ën. Në atë kohë, ai do të arrestohej bashkë me Florenc Çapjen dhe Bledar Muçën, por më pas është lënë i lirë.

“A. Ç., 52 vjeç, i arrestuar në flagrancë për veprat penale ”Vrasja e punonjësve të policisë, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje. Dyshohet se ky shtetas, së bashku me të afërm të tij ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016”, njoftoi në deklaratë OFL.

Kujtojmë se, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Të fundit