Flash News

KRYESORE

“Në vendin e shenjtë të 3 Besëlidhjeve të mëdha”; Meta vizitë në Mallakastër, përkujton qëndresën historike të heronjëve të rënë për liri

Presidenti Meta ka zgjedhur të vizitojë Mallakastrën këtë fundjavë, ku përkujtoi qëndresën heroike e burrave dhe e djemve të saj gjatë rrethimit në korrik 1943.

Gjatë vizitës së tij në Poçem për të mbajtur homazhet në nderim të dëshmorëve të lirisë, Meta shprehet se ky vend ka nxjerrë burra të shquar, trima e patriotë që i kanë dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj.

Postimi i plotë i Metës: 

Kombi ynë është i bekuar që ka një krahinë kaq patriotike, atdhetare dhe heroike si Mallakastra. Tre Besëlidhjet e Poçemit në vitet 1847, 1920 dhe 1943 ishin frymëzim mbarëkombëtar për kryengritje mbarëpopullore kundër pushtuesve.

Pas Pezës heroike, Mallakastra ishte krahina e dytë në Shqipëri që përjetoi rrethimin më ndëshkues dhe më mizor të 20 mijë trupave pushtuese në korrik 1943.

Mallakastra u dogj, por kryengritja nuk u shua. Qëndresa heroike e burrave dhe e djemve të saj, jo vetëm kaloi kufijtë e kësaj krahine, por frymëzoi të gjithë vendin në luftën për liri, duke dhënë një kontribut madhor për çlirimin e Shqipërisë.

Emrat e Heronjve të Popullit Dervish Hekali, Dino Kalenja, Ramiz Aranitasi dhe qindra dëshmorëve të cilët dhanë jetën për lirinë do të mbeten të paharruar. 🇦🇱

Të fundit