Flash News

KRYESORE

Negociatat/ Ambasadori i BE: Shqipëria të mos e marrë të mirëqenë mbështetjen e qershorit të kaluar

Negociatat/ Ambasadori i BE: Shqipëria të mos e marrë të

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, mbajti një konferencë për mediat me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit nga Rumania. Soreca theksoi se gjashtë mujorëshi i presidencës rumune do të jetë për Shqipërinë një periudhë absolutisht vendimtare sepse “jemi rreth katër muaj larg Raportit Vjetor të Komisionit dhe pesë muaj larg diskutimit të ardhshëm të Këshillit mbi zgjerimin.”

Soreca deklaroi se për hapjen e negociatave, shtetet anëtare presin nga Shqipëria që, “të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar.”

“Ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit gjatë muajve të fundit, të cilat jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik i qëndrueshëm ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare”, u shpreh ambasadori i BE.

Luigi Soreca theksoi se vendi ynë nuk duhet ta marrë të mirëqenë mbështetjen e qershorit të 2018-ës, nga Këshilli Europian, por duhet të orientojë të gjitha përpjekjet për realizimin e hapjes së negociatave.

“BE-ja i ka mirëpritur shumë këto zhvillime të fundit, por duhet bërë edhe më shumë. Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret si i mirëqenë. BE-ja është plotësisht e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë, siç tregoi vizita e Komisionerit Hahn javën e shkuar, por vendi duhet t’i orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi”, tha ai.

Amasadori foli edhe për reformën zgjedhore: “Në këtë drejtim, reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e ODHIR/OSBE-së paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak.”

Mesazhi i ambasadorit Soreca ishte i qartë edhe në fund të fjalimit: “Nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në etapat e ndryshme të pranverës. Do të ishte një gabim për Shqipërinë që të mos fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë vendi gjatë muajve të ardhshëm për t'u paraqitur plotësisht i përgatitur.”

Të fundit