Flash News

KRYESORE

Negociatat/ Ambasadorja gjermane thirrje politikës: Tërhiqni litarin në një drejtim dhe merrni përgjegjësitë

Negociatat/ Ambasadorja gjermane thirrje politikës: Tërhiqni litarin

Ambasadorja e Gjermanisë e akredituar në Tiranë, Susanne Schütz ka apeluar klasën politike që të ‘tërheqë litarin’ në një drejtim dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë.

Teksa mori pjesë në Konferencën e OSBE-së për Mesdheun, Schütz  u ndal edhe te refuzimi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mori nga BE në samitin e javës së shkuar në Bruksel.

“Bashkëbiseduesit shqiptarë në takimet e sotme më shprehën zhgënjimin dhe mungesën e mirëkuptimit për faktin, që para një jave në Bruksel nuk u mbërrit dot tek një „PO“ për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Edhe unë jam e keqardhur lidhur me rezultatin e konsultimeve në Bruksel. Gjermania ishte angazhuar për një „Po“. Sido që të jetë, premtimi i Selanikut mbetet - e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëdimor është në BE! Ne do të bëjmë gjithçka, që të vazhdojmë të mbajmë në krye të agjendës së BE-së interesin legjitim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hedhur hapat e radhës në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe të angazhohemi për një nisje të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit”, tha ambasadorja, e cila shtoi se për këtë është e nevojshme të ketë argumente të mira, kryesisht në sistemin e drejtësisë.

“Ndaj është me rëndësi të jashtëzakonshme që Shqipëria të vijojë më tej përpjekjet reformuese të viteve të fundit, veçanërisht ato në sektorin e drejtësisë, sikurse dhe të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë qëllim duhet që të gjitha forcat politike - dhe këtu përfshihet edhe opozita joparlamentare - të tërheqin litarin në një drejtim e të marrin përgjegjësi. Të gjitha reformat e nisura janë para së gjithash në dobi të popullsisë shqiptare. Një administratë publike profesionale dhe transparente, një sistem i pavarur drejtësie, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një kod zgjedhor i reformuar, reformat transparente në fushën e të drejtës mbi pronën në mbrojtje të të drejtave themelore - të gjithë këta objektiva janë në interes të vetë Shqipërisë. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë edhe në të ardhmen”, tha Schütz.

 

Të fundit