Flash News

KRYESORE

Negociatat dhe COVID-19/ Basha flet me Komisionerin Varhelyi: E falenderova për negociatat dhe i kërkova ndihmë

Negociatat dhe COVID-19/ Basha flet me Komisionerin Varhelyi: E falenderova

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi të enjten pasdite se zhvilloi një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi. Basha u shpreh se e falenderoi komisionerin për “vullnetin pozitiv” të BE për hapjen e negociatave pas përmbushjes së 15 kushteve.

“Sapo përfundova një video-konferencë me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi. E falenderova atë dhe Bashkimin Europian për shprehjen e vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas përmbushjes së 15 kushteve. E garantova se opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve. Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare”, tha Basha.

Më tej, Basha tregon se bisedoi me Komisionerin edhe për ndihmën që po i jep BE Shqipërië për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Gjithashtu, Basha shrpehet se i ka kërkuar edhe fonde shtesë nëpërmjet instrumentit IPA, për tre prioritete kryesore.

Komisionerin dhe Bashkimin Europian i falenderova edhe për ndihmën që i akorduan Shqipërisë për të përballuar pasojat e koronavirusit, dhe i kërkova të shohin çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë, pasi përveç pamundësisë për plotësimin e nevojave në shëndetësi, Shqipëria është një vend me nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë, për biznesin dhe për ekonominë.  

I kërkova, po kështu, edhe mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore: 1. Mbështetje për shëndetësinë. 2. Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë. 3. Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare.

Po kështu i kërkova komisionerit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, shprehet Basha.

Vetëm një ditë më parë vetë Komisioneri Oliver Varhelyi shkruajti në rrjetet sociale se BE do të japë deri në 400 milionë euro për 6 vende të Ballkanit Perëndimor për të përballuar situatën nga koronavirusi

Të fundit