Flash News

KRYESORE

Negociatat me ‘Top Channel’, Blendi Fevziu tregon rolin që ka Ben Blushi

Negociatat me ‘Top Channel’, Blendi Fevziu tregon rolin që ka

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka konfirmuar edhe njëherë tjetër negociatat që po zhvillon për transferimin e mundshëm në Top Channel. Në intervistën për “Panoramën”, Fevziu ka rrëfyer edhe rolin që ka në këto negociata Ben Blushi, drejtori ekzekutiv i Topit.

Fevziu ka pranuar se është Blushi ai që i ka bërë ofertën për të ndryshuar televizion dhe kjo e ka tunduar. Ai thekson se Top Channel në drejtimin e Blushit po fuqizon linjën politike dhe gazetareske dhe kjo sipas tij është shumë e rëndësishme.

“Disa kohë më parë, në një bisedë me Ben Blushin, drejtorin e ri të Top Channel, kemi folur për disa pakënaqësi të miat në Tv Klan. Kanë qenë probleme që lidheshin me mënyrën konceptuale të televizionit, për të cilat ka debate në çdo media. Ben Blushi më bëri një propozim për t’u bërë pjesë e Top Channel. Duke parë mënyrën se si ai televizion po fuqizon linjën politike dhe gazetareske pas ardhjes së Blushit, u ndjeva i tunduar nga ky propozim. Deri tani nuk kam marrë asnjë vendim nëse do transferohem në Top, apo do të qëndroj në Klan. E kam biseduar me disa nga njerëzit e mi të afërt dhe vendimin do ta marr shpejt, në përputhje me shumë ndjesi dhe fakte që kanë rëndësi për mua dhe stafin tim. Dhe natyrisht që të jenë të pranueshme për televizionin ku do punoj”, ka deklaruar Fevziu.

Sa i përket negociatave, Fevziu thotë se me Topin janë diskutuar detaje që janë kryesisht programore, por nëse transferimi kryhet, do jetë falë Ben Blushit.

“Me Topin kemi diskutuar detaje që janë kryesisht programore. Blushi ka qenë i hapur. Pa dyshim që nëse do të marr një vendim për t’u transferuar në Top, është kryesisht falë tij. E njoh që fëmijë dhe në thuajse 30 e ca vjet, kemi ndarë ide të ngjashme për politikën, mediat dhe shoqërinë. Kohët e fundit kam parë se në Top ai po mundohet të ndërtojë një projekt mediatik dhe kjo është shumë tunduese. A do ta arrijë këtë, nuk mund t’jua them. Por jo të gjitha varen prej tij, padyshim”, ka thënë ai.

Fevziu mendon gjithashtu se largimi i “Opinion” nuk e dobëson Tv Klan sepse televizioni është një harmonizim i shumë programeve dhe një emision më pak nuk luan asnjë rol.

“Largimi i “Opinion” nuk e dobëson Klanin. Mund të jetë një humbje që ka lidhje me pjesën emocionale dhe historike të televizionit, po jo me të ardhmen. As shkuarja e “Opinion” në Top nuk e fuqizon atë. Televizioni është një harmonizim  i shumë programeve dhe një emision më shumë apo më pak nuk luan asnjë rol në të”, ka thënë gazetari.

Tv Klan siguron një muaj me vonesë dokumentin e Qeverisë Holandeze për negociatat

Të fundit