Flash News

KRYESORE

Negociatat/ Reagon zyrtarisht Danimarka: Nuk vendosëm veto, por jemi ngurrues për problemet e Shqipërisë sepse mund të dobësojnë BE-në

Negociatat/ Reagon zyrtarisht Danimarka: Nuk vendosëm veto, por jemi

Qeveria e Danimarkës ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Bashkimit Europian për të mos hapur këtë vit negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në një komunikim me Politiko.al, Mikael Erbs-Jørgensen, këshilltar i përgjithshëm në Departamentin për Europën në Ministrinë e Jashtme të Danimarkës, ka konfirmuar se shteti i tij nuk ka vendosur veto në konkluzionet e Këshillit Europian, por ato kanë qenë të balancuara dhe janë miratuar me konsensus nga të gjithë anëtarët.

“Për këto konkluzione nuk u vendos veto nga Danimarka, por u miratuan me konsensus nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian”, thuhet në reagim.

Gjithsesi, zyrtari danez konfirmon se Kopenhageni është ngurrues sa i përket hapjes së menjëhereshme të negociatave me Shqipërinë sepse sfidat me të cilat përballet vendi ynë mund të dobësojnë Bashkimin Europian.

“Ashtu si vendet e tjera anëtare, Danimarka ka qenë ngurruese për hapjen e negociatave me efekt të menjëhershëm me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ka patur arritje të rëndësishme në reforma, por shumë sfida vijojnë të mbeten. Përveç kësaj, BE po përballet aktualisht me sfida të konsiderueshme të brendshme dhe të jashtme. Nëse ne nuk jemi plotësisht të bindur se vendet kandidate janë gati, kur të lëvizim përpara në procesin e tyre të anëtarësimit, kjo mund të kontribuojë në këto sfida dhe potencialisht të dobësojë Bashkimin Europian”, ka thënë Mikael Erbs-Jørgensen për Politiko.al.

Jørgensen ka theksuar gjithashtu se konkluzionet e Këshillit për Shqipërinë përcaktojnë rrugën drejt hapjes së negociatave në qershor të 2019-ës, çka konfirmon se Tirana nuk ka marrë ende një përgjigje pozitive për këtë proces, ndryshe nga sa pretendon qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama.

“Qeveria daneze e ka bërë shumë të qartë se mbështet prespektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne konstatojmë se konkluzionet e këshillit të BE-së për zgjerimin të miratuara më 26 qershor 2018 dhe të pranuara nga të gjitha shtetet anëtare, janë të balancuara dhe përcaktojnë një rrugë drejt hapjes së negociatave në qershor të 2019-ës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Danimarkës.

Danimarka, Franca dhe Holanda ishin tre shtetet që kundërshtuan hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por falë ndërhyrjes së Gjermanisë u bë e mundur që procesi të mos bllokohet plotësisht por qeverisë shqiptare t’i vendosen disa kushte të rrepta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të bërë të mundur hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. /Politiko.al - K.S

Të fundit