Nën presion nga protestat e dhunshme, dorëhiqet qeveria libaneze pas shpërthimit në portin e Bejrutit

Qeveria e Libanit ka dhënë dorëheqjen.

Vendimi është marrë mes zemërimit në rritje tek qytetarët pas shpërthimit të kësaj të marte në Bejrut, i cili la gati 200 persona të vdekur.

Lajmi u bë publik përmes televizionit kombëtar nga kryeministri i vendit Hassan Diab pak pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar, raporton BBC.

Shumë njerëz kanë akuzuar liderët e vendit si përgjegjës për shpërthimin e 4 gushtit në Bejrut, për shkak të pakujdesive dhe korrupsionit.

Protestuesit kanë dalë në rrugë prej dy ditësh pas shpërthimit. Kujtojmë se, më herët Presidenti u shpreh se ngjarja tragjike ndodhi si rezultat i shpërthimit të 2,750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pasigurt në port për vite me rradhë.

Guvernatori i qytetit të Bejrutit Marëan Abboud bëri sot me dije se: “deri tani ka arritur në 220 numri i viktimave nga shpërthimi, ndërsa 110 persona vijojnë të jenë të zhdukur.”

Shumica e të zhdukurve janë punëtorë të huaj ose shoferë kamionësh, ai tha për kanalin televiziv Al Jadeed. Shpërthimi i madh dëmtoi ndërtesat në një rreze prej disa kilometrash në Bejrut, duke lënë më shumë se 300 mijë të pastrehë ose të jetojnë në shtëpi pa dritare dhe dyer.

Këtë të hënë, policia iu është kthyer me gaz lotsjellës protestuesve të zemëruar gjatë përleshjeve të tensionuara në kryeqytet.

Pse qeveria dha dorëheqjen?

Pakënaqësia në Liban ishte akumuluar ndër vite. Në fund të vitit 2019, një plan për të taksuar thirrjet Whatsapp u përhap në protesta masive kundër trazirave ekonomike dhe korrupsionit, të cilat përfundimisht çuan në dorëheqjen e qeverisë.

Koronavirus kishte frenuar protestat, por situata financiare ka vazhduar të përkeqësohet dhe shpërthimi i së martës së kaluar u pa nga shumë persona si rezultati vdekjeprurës i viteve të korrupsionit dhe keqmenaxhimit.

Planet e qeverisë për të hetuar nuk ishin të mjaftueshme për shumë njerëz që kanë humbur të gjithë besimin në elitën politike. Para dorëheqjes së kabinetit qeveritar, një numër i ministrave tashmë kishin dhënë dorëheqjen.

Por fundi i kësaj qeverie nuk do të thotë domosdoshmërisht fund i zemërimit. Protestat e vitit të kaluar çuan në formimin e qeverisë e cila tani është detyruar të heqë dorë nga të njëjtat akuza për korrupsion.