Flash News

KRYESORE

Nënkryetari i CDU kërkon kompromis: Nuk ka anëtarësim për Shqipërinë nëse PS dhe PD janë në konflikt

Nënkryetari i CDU kërkon kompromis: Nuk ka anëtarësim

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul ka konfirmuar se vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë do të merret në muajin shtator.

Në një intervistë për ‘Deutsche Welle’, Wadephul ka deklaruar: “Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t'i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator.”

I pyetur nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave, zyrtari i lartë i partisë së Angela Merkel, thekson se kjo nuk ka ndodhur ende në masën që kërkohet për t’u afruar me standardet evropiane. Ai kërkon më shumë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe shtetit të së drejtës.

“Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet”, ka deklaruar Johann Wadephul.

Duke kërkuar nga PD që të marrë pjesë në proceset politike, Wadephul thekson se partitë pro-europiane duhet të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Në fund, mesazhi i Johann Wadephul është i qartë, nuk ka BE për Shqipërinë nëse dy partitë kryesore janë në konflikt me njëra-tjetrën.

“Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha,  janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri”, ka deklaruar ai.

Të fundit