Flash News

KRYESORE

Nëse iu jepet rasti…

Nëse iu jepet rasti…

nga Stefan Çapaliku

Çdo gjë ndodhi rastësisht, gjatë një bisede me mikun tim, Dom Marjan Gega, mbas një darke në famullinë e tij në Velipojë.

-Pse nuk shkon në Oria?-më tha ai. Atje ke me gjetë Don Alessandro Mayer dhe ka me qenë një vend shumë i mirë për ty për me shkrue.

Kur shqiptoi emrin “Alessandro” mendja më shkoi menjëherë te Italia, por mandej, kur përmendi mbiemrin Mayer, atëherë fantazia fluturori dikah kah bota gjermane. E ndërkaq emri Oria për mue nuk donte me thanë asgja.

Kështu që, duke u përkundë midis Italisë e Gjermanisë, m’u kujtue thirrja e përditshme e ne nxënësve në kohë të komunizmit: “Gjithmonë gati!”. Kjo thuhej si përgjigje ndaj parrullës me të cilën duhej të fillonte dita e çdo njeriut të ri komunist: “Për çështje të Popullit dhe Partisë jeni gati!”

E kështu u nisa për Oria, duke marrë paksa informacion në internet dhe duke u përpjekë, pa rezultat, të komunikoja me Don Alessandron. Kisha pa në Wikipedia dy foto mahnitëse: njëra që kishte lidhje me kështjellën Svevo, dhe këtu mendja ime kërkonte një relacion midis kështjellës dhe shkrimtarit të famshëm Italo Svevo; si dhe një foto të dytë me kupolën e një katedraleje të rrethuar me skela. Mirëpo, si do që të ishte puna, Italia për mua mbetet atdheu i dytë, si një vend ku ke dëshirë të humbasësh e të mos kthehesh më mbrapa.

Dhe vetëm kur mbërrita në stacionin e trenit të Brindisit pashë një mesoburrë të shëndoshë e me mjekërr, tejet energjik e që më foli me një shqipe të mahnitshme.

Don Alessandro di një shqipe të mrekullueshme. Ai ka shërbyer për disa vite në Rranza të Bushtatit dhe në Seminarin Papnor të Shkodrës. Dhe kur themi di shqip është njësoj si të thuash për dikë se është matematikan i nivelit të naltë, kaq e vështirë asht shqipja për një të huej. Një gjuhë me një sistem gramatikor tejet të komplikuem e të mbushun me përjashtime.

Pastaj ajo mbramje shkoi ashtu me pak bisedë e me plot besim, që të ngjallte figura e bukur e këtij prifti të fortë.

Të nesërmen Don Alessandro u zhduk. Atje në katin e dytë të seminarit ipeshkvnor u shfaq një djalë i ri, edhe ai me kuletin e priftit, e me të cilin qeshë i detyruem të flisja me italishten time çalamane. Ishte don Françesku.

-Ka edhe një tjetër don Françesk këtu në seminar- tha ai për Don Frankon, që ishte e kundërta e tij me moshë.

Dhe kështu mbasiqë u njoha me të tre meshtarët zbrita të shoh qytezën. E pashë në fillim nga dritarja e dhomës sime të seminarit. Shtëpi pa çati. Dhe më erdhi menjeherë në mendje një film i famshëm i Vittorio de Sica “Çatia” i vitit 1956. Si ka mundësi që asnjë shtëpi të mos ketë çati? Në Shqipëri kur një shtëpi është pa çati presupozohet se i zoti i saj e ka lanë ashtu, derisa të grumbullojë paret për t’i shtue edhe një kat.

Doja të dilja nëpër rrugica i bindun se do humbisja dhe i kënaqun që do mund të humbisja aq shpejt. Duhet thanë se mua më pëlqejnë shumë dyqanet. Dikur më pëlqenin ato të veshjeve, kurse tani mbas të pesëdhjetave më pëlqejnë ma shumë ato të ushqimeve, peshkut sidomos. E kështu hyna te njëri prej tyne, sepse këtu në Oria ka disa. “Pesce da Nino”

-Çfarë dëshëroni - foli një djalë i ri mbas banakut, që duhej të ishte Nino. Unë iu përgjigja me italishten time se kisha hy thjesht për të pa. Mesa duket djaloshi u turbullua disi nga fakti që unë kisha hyrë “thjesht për të pa”. Mbase kjo ju duk si një thanie mafioze dhe bani sikur nuk e kuptoi italishten time. Atëhere unë kërkova falje, duke i thanë se jam i huej dhe se nuk e flas mirë italishten:

-Chi e la vostra lingua?

-Greco - thashë atypëraty duke e devijue dhe fshehë menjeherë origjinën time. Ai më pa me një palë sy krejtësisht bojëqiell dhe me një thikë në dorë që e përdorte shkathtësisht për hapjen e disa llojlloj guackash. Dhe… dola.

Çfarë është ky instinkt i çuditshëm për ta fshehë prejardhjen?! Kaq keq janë sjellë shqiptarët ndër këto vise, sa edhe mue, që jam këtu për motive thellësisht kulturore më duhet ta fsheh origjinën?!

Duke mos dijtë t’i jap përgjigje kësaj pyetje vazhdoj të shkruej e të përfundoj projektin tim eseistik me një shpejtësi të çuditshme. Faqet e librit ecin me të njajtën shpejtësi që ecën edhe njohja ime me Orian.

Maria Giovana Fanelli më tregoi për Karitasin dioçezal dhe u mahnita. U mrekullova kur pashë dyqanet e Karitasit, që nuk shesin mall me pare, por veç me një sistem të çuditshëm pikësh, si kredite, që shtoheshin varësisht nga hallet e këtyne njerëzve të vobektë, por edhe të mbushun me dinjitet.

Të dielën doja të shkoja ne Francavilla por, e dini?, nuk kishte tren. Asnjë tren. Dhe mirë që nuk kishte tren, por nuk kishte askund një lajmërim se qenë pezullue trenat. I çuditun, mendova të pyes një tufë burrash para një bari, nëse ekzistonte nje autobus që të çonte atje.

-S’ka autobus, - më tha një djalë i ri, - por nëse do hajde me mue se tani do nisem për atje.

Kryevepër. I hypëm makinës së Françeskos dhe mue m’u desh edhe njëherë t’i përgjigjem pyetjes se nga jam. Kësaj here nuk gënjeva. Por edhe Françesko qëndroi si burrë kur mori vesh se kishte nje shqiptar në makinë. Nuk u dha. Kështu bajmë edhe ne, mendova. Po të vijë një i huej, a nevojtar, bahemi copë që t'ia rregullojmë punën.

-Unë jam miku i Don Alessandros,- i thashë.- A e njeh don Alessandron?

Jo - tha ai.

Desha t’i flas unë për don Alesandron, por ç'kuptim kishte që një i huaj t’i fliste për një bashkëqytetar të vetin? T’i thoja se ai burrë asht gjallë vetëm për ju, do tingëllonte e pabesueshme. Le ta merrte vesh vetë nëse do t’i binte rasti.

Por edhe atij edhe të tjerëve duhet t’i bjerë rasti, sepse domosdoshmënia e çan rrugën e vet gjithmonë përmes rastësisë, ka thanë ateisti ma i madh i botës, Karl Marks.

Por edhe ju, nëse ju jepet rasti, mos e leni pa u njoftë me Don Alessandro Mayer.

 

Të fundit