Flash News

KRYESORE

Nga Çako te vartësit në “Vetting”, test me makinën e së vërtetës, paralajmëron zv/ministri i Brendshëm

Nga Çako te vartësit në “Vetting”, test me

Pasi ndryshoi 11 nga 12 drejtuesit e policisë të zgjedhur nga paraardhësi i tij, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka vendosur të zhbëjë modelin “Tahiri” në Polici. Një grup i posaçëm me në krye zëvendësministrin e Brendshëm do të kalojë në proces verifikimi të gjithë punonjësit e policisë, duke filluar nga kreu i Policisë së Shtetit. Ekspertë të huaj do të monitorojnë procesin e “Vettingut” në Polici.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka vendosur të përmbysë tërësisht modelin “Tahiri” në polici, duke nisur me hapa konkretë atë që e quajti “vettingun e uniformave blu” kur mori detyrën në muajt e parë të këtij viti.

Procesi i vettingut në polici pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm ndërsa në “sitën” e organeve që do verifikojnë pastërtinë e figurës së efektivëve do të kalojnë fillimisht drejtuesit e lartë, duke nisur me kryepolicin Haki Çako.

Komisionet e Vlerësimit pritet të jenë të ngjashëm me ato për vettingun e gjyqësorit, model i cili u udhëhoq nga Fatmir Xhafaj, kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi.

“Ai është modeli që do të ndjekim, për këtë kemi të bëjmë me një forcë sigurie, jo një pushtet siç është gjyqësori. Ideja është që organet e vettingut të jenë të pavarura nga Ministria e Brendshme apo qeveria”, thotë Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm për “Mapo”.

Ashtu si në operacionin “Forca e ligjit”, edhe në këtë proces ekspertët e huaj do jenë të pranishëm. “Ata do kenë rol monitorues dhe këshillues për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent”, shpjegon Hodaj. Por vettingu në polici duket se ka nisur para janarit. Sipas burimeve, rreth 20 efektivëve të lartë iu është refuzuar rinovimi i certifikatës së sigurisë për njohjen e informacioneve të klasifikuara, për arsye të paqarta.

Po ashtu, gjurmët e gishtave të gjithë trupës së policisë, Gardës së Republikës dhe punonjësve të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesave, u janë dërguar Interpolit dhe Europolit për të zbuluar individë me të shkuar kriminale jashtë vendit.

Gjatë vettingut nuk përjashtohet mundësia që për raste specifike të përdoret edhe poligrafi apo siç njihet ndryshe makineria e së vërtetës.

Të fundit