Flash News

KRYESORE

Nga deputete në kryeministre, testohet në media ‘zëvendësuesja’ e Edi Ramës në Qeveri

Zgjidhja e krizës politike vazhdon të duket e largët për sa kohë opozita dhe mazhoranca nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre.

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje vendimin për t’u regjistruar në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe sipas PD-së, zgjedhjet e lira mund të organizohen vetëm pa Edi Ramën në postin e kryeministrit.

Ky i fundit po vihet gjithnjë e më shumë në presion jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktorë të rëndësishëm brenda Partisë Socialiste, të cilët kanë filluar të flasin për ‘sakrifikimin e pushtetit në favor të shtetit’.

Ndërkohë që opozita kërkon “kokën e Ramës”, në media janë hedhur disa emra të mundshëm nga radhët e socialistëve që mund të vijnë në krye të Qeverisë si figura konsensuale.

Rasti i fundit është emri i deputetes Evis Kushi. Ajo është deputete e qarkut të Elbasanit dhe testimi i saj si kryeministre e mundshme po bëhet pikërisht nëpërmjet disa mediave lokale në Elbasan. Gjatë ditës së sotme këto media kanë promovuar Evis Kushin si një deputete të ekuilibruar që mund konsiderohet e pranueshme për opozitën për postin e kryeministrit.

Por ndonëse ndaj ish-Dekanes së Fakultetit të Ekonomisë në Elbasan nuk ka patur asnjëherë akuza të rënda, që bëhen rëndom në politikën shqiptare, janë pikërisht lidhjet e saj në këtë qytet që mund të shfaqen si pengesë.

Evis Kushi konsiderohet brenda strukturave të Partisë Socialiste si njeriu i Qazim Sejdinit, kryebashkiak i Elbasanit. Ajo është bërë anëtare e PS-së në mars të 2013-ës, ndërsa në qershor u zgjodh për herë të parë deputete.

Të fundit