Flash News

KRYESORE

Nga ‘Gërdeci’, te Edi Paloka dhe Tom Doshi, disa nga çështjet e gjyqtarit me 300 milionë lekë në shtëpi

Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit, u arrestua ditën e sotme pasi Prokuroria i gjeti 300 milionë lekë në banesë. Miri ishte një prej gjyqtarëve të shumtë që po hetohej për pasurinë.

Ai ka një karrierë të pasur në sistemin e drejtësië dhe gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, në duart e tij kanë kaluar disa çështje të rëndësishme.

Vlen të veçohet çështja e Gërdecit, ngjarje ku humbën jetën 28 njerëz në shpërthimin e 15 marsit të 2008-ës. Shkëlqim Miri ishte pjesë e trupit gjykues së bashku me Alaudin Malajn dhe Gent Shalën, të cilët morën vendimin për uljen e 1/3 e dënimit për të akuzuarit e tragjedisë, ndërsa disa të akuzuar të tjerë u shpallën të pafajshëm.

Një tjetër rast që ka mbërritur te Miri, ishte edhe vendimi i Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen e padisë së ngritur nga Ardjan Liçaj ndaj deputetit të PD-së, Edi Paloka. Liçaj u emërua në 2014-ën specialist i antidrogës në Policinë e Vlorës dhe Paloka e akuzoi si ushtar të Zani Çaushit. Gjykata e Tiranës hodhi poshtë kërkesën e Liçajt për dëmshpërblim dhe shpenzimet e gjyqit ia ngarkoi këtij të fundit, raporton Politiko.al.

Më 31 mars të 2016-ës, Shkëlqim Miri mori vendimin për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për një lokal në zonën e ish-Bllokut, që deri në atë periudhë administrohej nga këngëtarja Rovena Dilo. Pala fituese ishin biznesmeni Ndriçim Babasi dhe deputeti Tom Doshi. Pas vendimit, këngëtarja Dilo lëshoi akuza të drejtpërdrejt ndaj gjykatës për vendim të padrejtë.

Të fundit