Flash News

KRYESORE

Nga Topalli te ‘opozita parlamentare', cilat janë forcat e reja politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e 2021-shit

Ndërsa pranvera e 2021-shit është përcaktuar tashmë si periudhë zgjedhore për parlamentin dhe qeverinë e re, në skenën e politikës shqiptarë janë evidentuar edhe forca të reja që synojnë të bëhen pjesë e garës.

Ndonëse nuk kanë dhënë shumë detaje, kanë ofruar sinjale të forta se do të përballen me partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme, duke u shfaqur para shqiptarëve si forca të reja politike.

Le të rendisim disa prej tyre:

I fundit që paralajmëroi një parti të re, në 1 gusht, ishte ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Ai deklaron se një forcë e re me emrin ‘Poli i Tretë’ do të sfidojë PD-PS në zgjedhjet e reja, që priten pas disa muajsh.

 

 

 

 

 

 

 

 

Halit Valteri, deputeti i opozitës parlamentare paralajmëroi një parti të re nga grupi parlamentar demokrat në Kuvend me emrin Lëvizja Demokratike Shqiptare. Ai tha se më shumë detaje do t’i zbardhë në shtator. Pjesë e këtij grupi është edhe deputeti Myslim Murrizi i cili po ashtu ka paralajmëruar një lëvizje të re.

Rudina Hajdari, deputetja e opozitës parlamentare ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një partie të re si një alternativë për shqiptarët.

“Kam qenë e qartë  që në zgjedhjet e ardhshme do të garoj dhe listat e hapura janë beteja ime kryesore, do kemi një moment që artikulojmë diçka më të qartë dhe është normale që të krijojmë një alternativë të re dhe kushtet që çdo kush që dëshiron t’i bashkohet alternativës së re që do të shfaqet. Do kemi kohë kur do jem më e qartë për krijimin e partisë së re”, tha Hajdari.

Ralf Gjoni, deputeti i dalë nga listat e LSI ka folur po ashtu mbi një lëvizje risi në zgjedhjet e ardhshme.

"E kemi menduar, nuk jam ende gati të shprehem. Po patjetër. Cfarë ka të mendosh për një projekt politik, nuk ka asgjë të keqe, do të inkurajoja një pluralizëm politik. Shqiptarët kanë nevojë për shumë oferta, pse duhet të jemi peng i 2-3 partive. E kam menduar, por nuk kemi një plan konkret për momentin. Jemi duke biseduar me disa faktorë brenda dhe jashtë parlamentit. E kam bindje se Shqipërisë i duhet një projekt, një lëvizje e re politike. Projekteve të lodhura të pleqve politikë u mungon integriteti", pati deklaruar Gjoni në tetor të 2019-ës në Report tv.

Megjithatë, Hajdari dhe Gjoni nuk dihet nëse flasin për të njëjtin subjekt të ri politik apo jo. Kujtojmë se Hajdari dhe Gjoni janë parë edhe në disa aktivitete të lëvizjes së ‘Nismës Thurje’, e cila po ashtu ka njoftuar krijimin e një parti të re.

Aktivisti Endri Shabani kur u pyet në Zonë e Lirë nuk e ka mohuar diçka të tillë, duke lënë të nënkuptohet se ndoshta ajo mund të shndërrohet në parti. “Më shqetëson mungesa e demokracisë në Shqipëri… Sa prej qytetarëve janë dakort që Shqipëria t’i ndërtojë rrugët me taksat e qytetarëve dhe që Rruga e Kombit të jetë me pagesë? Sa qytetarë janë dakort që Shqipëria të mos ketë universitete publike, por t’i ketë private? Këto janë gjëra që janë vendosur, kjo nuk është demokraci përfaqësuese”, tha Shabani.

Jozefina Topalli, ish-nënkryetarja e PD, një kundërshtare e kritike e fortë e Lulzim Bashës sinjalizoi një lëvizje të re pak javë më parë.

“Ata ( 3-4 vete ) te zhytur ne korrupsion e paligjshmeri , mbajne peng nje vend. Ata kane nje ortakeri te frikshme qe ka zhytur vendin ne depresion duke mbyllur cdo perspektive per te rinjte, dhe tani po ligjerojne vjedhjet e tyre te paimagjinueshme. Njerezit jane te varfer dhe ekstremisht te varfer se jane te vjedhur. Detyra e te rinjve eshte :- Te sfidojne korrupsionin! Koha eshte per te vepruar. Koha eshte per nje levizje per ndryshim. Boll eshte boll”, shkruante në një status në 11 qershor.

Edhe presidenti Ilir Meta pati folur për një ‘front për demokracinë’, i cili u lexua si një mesazh për krijimin e një partie të re politike, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Meta do të krijojë një parti të re me artistët, duke iu referuar ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, të cilët prej më shumë se dy vitesh protestuan kundër shembjes së TK.

Presidenti shqiptar Ilir Meta një ditë më vonë i mohoi zërat se ka një plan për të mbështetur një lëvizje qytetare e cila do të kthehet më pas në parti politike prej tij, por tha se vendi ka nevojë për një front demokratik, pasi diktatura ka trokitur.

“Fronti për demokracinë fillon me përfundimin e reformës zgjedhore sa më shpejt, me zgjedhje të lira dhe të ndershme për çdo shqiptar dhe të gjithë janë të mirëpritur. Po që ka nevojë për një front për demokraci pa tjetër sepse diktatura ka trokitur. Të gjithë duhet të zgjohen dhe të mbrojnë të drejtat e tyre”, deklaroi Meta kur u pyet nga gazetarët.

Edhe Lëvizja Vetëvendosja e Kosovës, me në krye Albin Kurtin mendohet se do të angazhohet si parti e re në Shqipëri, në zgjedhjet e 2021-shit. Përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Arbër Zaimi ka sinjalizuar shndërrimin në parti politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Të fundit