Flash News

KRYESORE

Nga urdhri i Lleshajt e Ruçit te thirrjet e ndërkombëtarëve, ‘fakenews-i’ që ngriti në këmbë shtetin për një protestë paqësore  

Mes luleve dhe shiritave të bardhë, simbol i paqes.

Protesta e sotme e opozitës së bashkuar zgjati mbi tre orë, duke filluar nga bulevardi ‘Zhan Dark’, e zhvendosur më pas te Kryesia e Kuvendit dhe duke u përmbyllur krejt paqësisht te selia e Partisë Demokratike.

Ndryshe nga ç’ishte paralajmëruar mes njoftimeve alarmante të organeve të rendit, duke zbarkuar të gjitha mjetet e sigurisë e ngjashme me një situatë lufte në Tiranë, apo thirrjeve për paqe nga ndërkombëtarët, protesta e opozitës së bashkuar ishte një model i protestës qytetare.

Megjithatë, sot qytetarët e ardhur nga i gjithë vendi u treguan të kundërtën të gjithë atyre që ngjallën panik, sidomos me shpërndarjen e policisë rreth kryeministrisë, parlamentit apo Piramidës, apo me thirrjen ndaj gazetarëve për pajisjen e tyre me maska kundragaz, teksa raportojnë nga terreni protestën e sotme opozitare.

Një alarm që rezultoi fals pas rrethimit me tela me gjemba të Parlamentit dhe kyçjes së tij, si vendim i një dite më parë nga drejtuesi i tij, Gramoz Ruçi, duke anuluar seancën plenare.

“Vendosa të mos zhvillojë seancën e datës 21 shkurt, ditën e enjte në orën 10:00,  si qytetar që e dua këtë vend, nuk gjykoj të udhës dhe ndjej trishtim dhe dhimbje, që një pjesë e deputetëve të jenë në sallë dhe një pjesë e tyre jashtë saj. Përgjegjësia ime si kryetar kuvendi nuk mund të lejoj t’u jap mundësi keqbërësve për t’u bërë objekt i sulmit”, u shpreh Ruçi në një dalje për mediat pasditen e djeshme, referuar edhe nga njoftimi i Policisë së Shtetit kur paralajmëronte se ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale.

“Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë. Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Thirrjet e ndërkombëtarëve

Veç masave të rrepta nga Garda dhe Policia e Shtetit, protestuesit e opozitës u apeluan edhe nga faktori ndërkombëtar.

Ambasada amerikane, një orë para protestës bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës.

“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesëmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”, shkruante në njoftimin e saj në rrjetet sociale sot ambasada e ShBA në Tiranë, duke iu bashkuar më vonë edhe deklarata e Federica Mogherini dhe komisionerit Johannes Hahn.

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat nxitëse”, theksohej në deklaratën e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Mogherini dhe komisionerit Hahn.

Kjo protestë u shoqërua me mesazhe të shumta për forcimin e demokracisë në vend, ndërsa kryedemorkati Basha e cilësoi një ditë historike, pasi i shoqëruar prej qindra protestues, dorëzoi në një akt final, bashkë me opozitën e bashkuar në Kryesinë e Kuvendit mandatin e deputetit.

Të fundit