Flash News

KRYESORE

Ngacmoi seksualisht 23-vjeçaren në spital, arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë

Ish- ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Numan Baliq, është arrestuar sot nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një 23-vjeçare. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Pejës, ndërsa e reja ishte paciente në këtë spital.

Lajmin për sulmin seksual ndaj 23-vjeçares e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, megjithëse nuk është zbuluar identiteti i agresorit.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orësh, gjithashtu Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha Nikçi.

Ish-ministri Numan Baliq është përfolur edhe më herët për ngacmim seksual. Nuk ka kaluar shumë kohë që ai është liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në spitalin ku punon.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, me çka dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar një praktikante në Spitalin Rajonal të Pejës.

Mediat kosovare raportojnë se Baliq kishte ngacmuar dhe frikësuar praktikanten e spitalit, S.M., në institucionin ku ai ushtron profesionin e doktorit. Me 25 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Pejës e kishte liruar nga akuza Baliqin me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer vepër penale.

Të fundit