Flash News

KRYESORE

Ngërçi/ Gjykata Kushtetuese bëhet me 6 anëtarë, por me dy të emëruar për një vakancë

Ngërçi/ Gjykata Kushtetuese bëhet me 6 anëtarë, por

Pas dekretimit që presidenti Ilir Meta i bëri gjyqtares Marsida Xhaferllari në Gjykatën Kushtetuese, ky institucion bëhet me gjashtë anëtarë, por si rrallë ndonjë herë, me dy të emëruar për të njëjtën vakancë.  Situata bëhet e komplikuar për këtë institucion, pasi për vakancën e dytë, kreu i shtetit njeh si gjyqtare Xhafellarin, kurse parlamenti Arta Vorpsin.

Ai kishte shumë ngut që ta firmoste dekretin, e me të ardhur në aeroportin e Rinasit, hodhi firmën në dokument. Por dekreti solli reagim nga shumica, që e akuzon atë se iu kundërvu SHBA-së.

Një firmë që sjell sërish kaos në institucionet shqiptare, me shumicën parlamentare që e ka bërë të qartë që Arta Vorpsi nëse nuk thirret nga Meta për t’u betuar, atëherë duhet të marrë detyrën direkt.

Por presidenti ka ;lajmëruar se në orën 20:00, do të argumentojë edhe dekretin e tij. Referuar ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Shtetit ka 30 ditë kohë nga paraqitja e kandidatëve të KED të shprehet me dekret.

Presidenca përmes një shkrese zyrtare sqaroi se pas zgjedhjes së emrit të parë, që ishte Besnik Muçi (që nuk e ka kaluar vetingun), radha për votim i kalon parlamentit dhe më pas sërish presidentit.

Kurse për kreun e Kuvendit ligji është i qartë, në Kushtetuese emërohet automatikisht kandidati i parë i listës së KED. Ndërkohë që gjyqtarja Vitore Tusha ishte e vetmja që kaloi vetingun e mbeti në detyrë.

Një pengesë tjetër është edhe betimi te Meta i dy gjyqtareve të tjera, Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toska, që u votuan nga parlamenti në seancën e të hënës.

Të fundit