Flash News

KRYESORE

Ngritja e Gjykatës së Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor: 23 aplikime për 11 pozicione të lira

Ngritja e Gjykatës së Lartë, Këshilli i Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor vijon angazhimin për vendosjen në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë.

Këshilli, pas hartimit dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse, hapi procedurat për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për tre pozicione të lira, në fusha të ndryshme të së drejtës. Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të propozojë emërimin e 3 kandidatëve, të cilët u emëruan si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë me dekret të Presidentit të Republikës. Ndërkohë, ende pa përfunduar procedurat e mësipërme, Këshilli hapi procedurën për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, edhe për një pozicion tjetër të lirë. Për këtë pozicion, Këshilli po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për kandidatin.

Me qëllim plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë, Këshilli miratoi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, duke hapur më pas procedurat e ngritjes në detyrë për 11 pozicione të lira, nga të cilat 4 pozicione në fushën e të drejtës administrative, 3 pozicione në fushën e të drejtës civile dhe 4 pozicione në fushën e të drejtës penale. Për këto pozicione kanë aplikuar 23 kandidatë, për 21 prej të cilëve, Këshilli ka verifikuar plotësimin e tre kritereve ligjore të kandidimit dhe po vijon procedurat për verifikimin e kritereve ligjore të pasurisë dhe figurës, duke vijuar paralelisht procedurat e vlerësimit etik dhe profesional.

Për 2 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi i këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Ndërkohë, për të 23 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 2 prej tyre ky verifikim ka përfunduar, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës. Për 8 kandidatë të tjerë, verifikimi i pasurisë dhe figurës është në përfundim, ndërsa rezultatet e tij do të shqyrohen në mbledhjet më të afërta. Për 6 kandidatë, që janë subjekt rivlerësimi kalimtar (vetting), u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Këshilli, përveç procedurave për plotësimin e pozicioneve të lira në Gjykatën e Lartë, vijon punën për plotësimin me gjyqtarë të gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke shpallur në total në nivel apeli 20 pozicione të lira, nga të cilat 12 pozicione në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, 2 pozicione në Gjykatën Administrative të Apelit dhe 6 pozicione në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Për pozicionet e lira të shpallura në gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm dhe në Gjykatën Administrative të Apelit, kanë aplikuar gjithsej 20 kandidatë, ndërsa për tre nga pozicionet e shpallura të lira në Gjykatat e Apelit Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër nuk ka pasur asnjë kandidat, shkak për të cilin procedurat e ngritjes në detyrë janë rihapur. Procedura për verifikimin e tre kritereve ligjore të kandidimit ka përfunduar për të 20 kandidatët, ku për 15 prej tyre Këshilli ka marrë vendim për verifikimin e tre prej kritereve ligjore të kandidimit, duke vijuar paralelisht me procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Për 5 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Ndërkohë, për të 20 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 13 kandidatë, që janë subjekt rivlerësimi kalimtar, u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Të fundit