Flash News

KRYESORE

Nis ndërtimi i banesës së dëmtuar nga tërmeti në Vishnjë, Veliaj: Gati për festat e nëntorit

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u rikthye sërish në Vishnje për të ndjekur punimet për shtëpinë e re të Rifat Agës, e cila pritet që të jetë gati për festat e nëntorit. Veliaj ishte bashkë me Avenir Kikën, drejtorin e Shoqatës së Ndërtuesve, kontribuuesja kryesore në taksat dhe arkën e Bashkisë së Tiranës.

“Nuk i kanë asnjë detyrim shtetit, i paguajnë një më një kontributet, e megjithatë, Aveniri vendosi që të ndihmojë Rifatin. Jam jashtëzakonisht krenar për Tiranën dhe për mënyrën sesi në kohë rekord, solidariteti ka qenë maksimal. Fakti që pa u bërë muaji kemi filluar rindërtimin e shtëpive, jemi mbi themele, kemi bërë konstruksionin dhe jemi gati të vëmë muret edhe ndarjen, që datat 28-29 nëntor të na gjejnë në shtëpinë e re, është një histori suksesi e solidaritetit të Tiranës. Rifat, mezi pres që të vij herën e tretë për vizitë, e treta e vërteta, kur të jetë mbaruar shtëpia”, tha Veliaj.

Rifat Aga, i cili prej 30 vitesh punon në forcat e Policisë së Rendit, falënderoi Bashkinë e Tiranës dhe kompaninë e ndërtimit që po bën të mundur rindërtimin e shtëpisë. “Faleminderit shumë për ardhjen, për interesimin që bëni nga ana juaj. Falënderoj shumë firmën Kika, bashkë me gjithë punëtorët që kanë punuar jashtë mase. Të gjitha i ka sjellë, i falënderoj shumë. Faleminderit edhe nga ana juaj shumë. Ju jam shumë mirënjohës”, tha Rifat Aga.

Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika theksoi se çdo biznes i fushës së ndërtimit e ka detyrim të jetë solidar me qytetin e Tiranës, sidomos kur bëhet fjalë për raste fatkeqësish natyrore. “Bashkia është shtëpia jonë e përbashkët, por mbi të gjitha dua t’u them ndërtuesve, kolegëve të mi, unë si kryetar e dhashë shembullin i pari, sepse vetëm kështu do ta ndihmojmë bashkinë, po kështu do ndihmojmë edhe qytetarët e qytetit të Tiranës”, tha Kika.

Të fundit