Flash News

KRYESORE

Nis protesta kundër konstituimit të Këshillit Bashkiak para prefekturës së Shkodrës, zyrtarët e PD që marrin pjesë

Nis protesta kundër konstituimit të Këshillit Bashkiak para

Ashtu siç ishte paralajmëruar, ka nisur protesta e degës së Partisë Demokratike në Shkodër para godinës së prefekturës.

Ka qenë prefekti Çesk Millja, ai i cili ka thirrur mbledhjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak në ambientet e rektoratit të universitetit ‘Luigj Gurakuqi’.

Por, PD e Shkodrës e ka cilësuar këtë vendim si një provokim për shkodranët, kjo për faktin se ky ambient cilësohet edhe si simboli i rezistencës dhe i lirisë, duke kujtuar edhe 2 prillin 1991.

Pas reagimeve nga PD, vendi i mbledhjes u ndryshuar duke u zhvendosur në bibliotekën e universitetit.

Aktualisht, po protestojnë para prefekturës një numër i konsiderueshëm i qytetarëve dhe mbështetës të PD, ndërsa po marrin pjesë edhe ish-deputetë të PD në Shkodër, kreu i degës së PD dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak, betimi për anëtarët për Këshillin e Qarkut dhe vlefshmëria e mandatit për kreun e bashkisë pritet të zhvillohen në orën 11.00.

PD nuk e pranon konstituimin e një këshilli që sipas saj është ilegjitim.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak ishte planifikuar që të mbahej në datën 21 gusht, një ditë pasi i përfundon me ligj mandati i kryetares aktuale, Voltana Ademi. Por Partia Socialiste e afroi me dy ditë datën e konstituimit, vendim i cili erdhi pas tërheqjes nga marrja e detyrës të kandidatit fitues, Valdrin Pjetri.

Ky i fundit, rezultoi se kishte qenë i dënuar në Itali me burg për drogë në vitin 2003, por nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. PD-ja publikoi dokumentet që vërtetonin vendimin e autoriteteve italiane, teksa fshehjen e dënimit, kreu i qeverisë e ka konsideruar një akt të patolerueshëm dhe njoftoi se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara.

Nënkryetar për Bashkinë Shkodër? Voltana Ademi: Jam në detyrë deri në zgjedhjet e reja

Të fundit