Flash News

OP-ED

Një arenë ku Rama nuk është demi, por toreadori

Një arenë ku Rama nuk është demi, por toreadori

Gentian Gaba

“Shpifje! Shpifje! Shpifje! Shpifje!”. Fjala më e përdorur nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e së martës përballë gazetarëve në studion e emisionit të Rudina Xhungës. Gërnja që u konsumua në arenën mediatike nisi të komentohej ethshëm në mediat e reja dhe në rrjetet sociale. Spektakli shumë dimensional që dhuroi kryeministri polarizoi, sikurse është në natyrën e këtij politikani, qëndrimet ndaj dihatjeve, ofshamave, ulëritjeve dhe qesëndisë me të cilën angazhonte gazetarët.

Për syrin e papërgatitur, kryeministri shfaqi pikat e tij më të dobëta; xhindosja, arroganca, kapadaillëku, të cilat mund ta kenë bërë të duket si dem të tërbuar përballë toreadorit. Në luftën simbolike të traditës spanjolle, toreadori i tund në fytyrë kafshës të irrituar një pëlhurë të kuqe, e cila e xhindos atë. Demi turret me vërtik drejt pëlhurës herë pas here, pa arritur ta mbërthejë me brinjët e tij majëmprehta. Kështu demi vazhdon ecejaken derisa e lënë forcat dhe shembet përtokë.

Mirëpo, nëse do të pyesnim ekspertët e mediave dhe njohësit e psikologjisë, njëzëri do të pohonin se mbrëmë ishte Rama ai që po luante me gazetarët, dhe komentuesit e ndryshëm të botës 2.0; pra palët ishin krejt të përmbysura. Rama, në pozitat e toreadorit, përshkallëzonte përplasjen nëpërmjet reagimeve dhe artikulimeve ngacmuese, në dukje emocionale, por që në thelb janë dredhi të kontrolluara për të stisur konfliktin, për të prishur debatin dhe për të çoroditur publikun. Gazetarët, në pozitat e demit, të sulmuar në pikën më të dobët, profesionalizmin, reagonin në mënyrë mekanike dhe të parashikueshëm; duke humbur kthjelltësinë dhe durimin kundrejt një personi që ishte aty për të dhënë përgjigje, dhe jo për t’u zënë me intervistuesit.

Një strategji në të cilën Rama përdor imazhin e tij si shënjestër, edhe duke marrë përsipër koston e të qenit qesharak për një segment të publiut; një pëlhurë e kuqe për t’ju shmangur debatit. Duke nisur nga ylli ngadhënyes që mbante në kollaren e tij, enkas për të tërbuar shikuesit që identifikonin një provokim të lidhur me simbolikën e datës së djeshme, dhe për të fituar kohë televizive me një pyetje që iu bë për të; për të vijuar me imitimet fëminore të Rudina Xhungës; dhe relativizimin e pohimeve të gazetarëve, të cilët i antagonizoi në mënyrë të tillë që dukeshin të shtyrë nga një armiqësi me kryeministrin, dhe jo nga dëshira për të bërë mirë punën e tyre.

Ngacmimi i djeshëm nuk është veçse hallka e një zinxhiri të gjatë provokimesh të mëparshme, të cilat gjejnë apogjeun te “kazanifikimi” i mediave, një përjekje e kryeministrit për të kultivuar armiqësi mes tyre dhe publikut, dhe për t’i bërë ato të pabesueshme. Po ashtu, ato që do të vijojnë, si “paketa antishpifje” për shembull, do të jenë me ndikim më të thellë, sidomos nëse mediat, por edhe opozita, do të vazhdojnë ta mbështesin suksesin e këtyre provokimeve me reagime të ekzagjeruara të cilat i bëjnë reklamë vetë autorit të tyre.

Rezultatet e komunikimit që Rama korr janë pasojë e një mendimi të thellë dhe të planifikuar më parë; ndërsa shpesh herë reaguesit ndaj skandaleve të mazhorancës i kundërvihen me forcë dhe me pathos, duke marrë përsipër rrezikun që mund t’i konsumojnë menjëherë emocionet e tyre, të cilat, ashtu siç shpërthejnë menjëherë, ftohen në pak kohë pa i shërbyer ndonjë qëllimi publik.

Për pasojë, tipologjia me të cilën Rama përballon krizat, dhe mbulon skandalet e shumta të këtyre muajve, kërkon jo vetëm një përgjegjësi më të madhe në orientimin e opinionit publik, por edhe gjakftohtësi. Një kundërshtar që luan me instiktet e pavetëdijshme të elektoratit, duhet përballuar me një reagim metodologjik, në vend të rendjes pas instinkteve emocionale. Sepse grackat kryeministrore nuk kanë për qëllim vetëm mbrojtjen, por edhe të sfilisin gazetarët, opozitën, por edhe qytetarët, në një luftë e cila veçse shteron energjitë e tyre.

Prandaj, përpara se të ironizojmë spektaklin që dha dje, nuk duhet harruar, se në atë arenë Rama nuk është demi, por toreadori. 

Të fundit