Flash News

KRYESORE

Një ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Meta thërret në zyrë Lulzim Bashën

Një ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Meta

Një ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hap rrugë votimit me lista të hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit, presidenti Ilir Meta ka thirrur në takim kreun e opozitës Lulzim Basha.

Takimi i kërkuar nga Meta mësohet se do të zhvillohet në zyrën e presidentit në orën 11.00.

Një ditë më parë, presidenti reagoi përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili shkruante se vendimet për ndryshime kushtetuese, nuk mund të merren nga një parlament i cili ka vetëm 82 deputetë legjitim.

“Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar.

182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.

Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues.

Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor.

Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.

E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!”, shkroi Blushi.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se  tmerri i Ramës është humbja e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme.

Duke theksuar se frika e Ramës nuk mund të mbajë peng Shqipërinë, Bardhi i kërkoi kryeministrit të lexojë mirë deklaratën e zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bundestag, Wadephul.

“Edi Rama lexoje mirë këtë deklaratë të Bundestagut dhe lëri lojërat e pista politike në kurriz të shqiptarëve”, vijon më tej Bardhi, duke sjell në kujtes deklaratën e Wadephul.

Kujtojmë se, Wadephul reagoi ashpër për ndryshimet e miratuara në Komisionin e Ligjeve, duke theksuar se ato asgjësojnë marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik me opozitën jo parlamentare. Përmes një ultimatumi, ai i bëri me dije shumicës parlamentare dhe kryeministrit Rama se nëse vijojnë me ndryshimet kushtetuese, nuk do të kenë mbështetjen e gjermanëve në procesin e integrimit drejt BE.

Të fundit