Flash News

KRYESORE

Një letër për BE-në apo për ne?

Një letër për BE-në apo për ne?

Gentian Gaba 

Që komunikimi është i rëndësishëm në politikë, dihet tanimë. Që komunikimi është i rëndësishëm për Ramën, dihet po ashtu. Ajo që nuk dihet, ose ndoshta nënvlerësohet, është fakti që komunikimi nuk mjafton. Nuk mjafton të jesh një “shitës” i mirë kur nuk ke një produkt, një bilanc për të paraqitur, një rezultat final që të shpërndash në katër anët e botës me kasnecët mediatikë që, në fund të ditës, janë ata që për meritë të kryeministrit shqiptar quhen “kazane”.

Komunikimi është i rëndësishëm, por nuk mjafton të thuash atë që bën, herët apo vonë duhet të bësh atë që thua që të kesh pëlqyeshmërinë e publikut/votuesit.

Me sa kuptohet, kjo kryeministrit nuk i intereson në këtë moment politik. Nuk kërkon të ketë as përmbajtje dhe as rezultat, thjesht kërkon të bëjë lajme, dhe sidomos lajme që ta portretizojnë si një politikan të angazhuar në një betejë publike: atë kundër krimit të organizuar dhe hashashit Made in Albania. 

Njëzet e tetë letrat që dolën nga dera e kryeministrisë ditën e premte, me të njëjtën përmbajtje, por pritës të ndryshëm, ishin pikërisht një vegjë komunikatave.

Letra me anë të së cilësë kërkohet ndihma e vendeve anëtare të BE-së në luftën kundër krimit është një tentativë për të kryer një rokadë në perceptimin publik mbi zhvillimin e ngjarjeve, nga i akuzuar në akuzator.

Letra nuk ka, dhe nuk mund të ketë për qëllim, njëzet e tetë vendet e Bashkimit Europian, as publikun e gjerë të gazetës prestigjioze Financial Times. Pritësi, ose pritësit, realë të asaj letre jemi ne: opinioni pubik shqiptar, votuesit; qytetarët që presin si pubiku romak në shkallët e Koloseut, me padurim për të drejtuar, poshtë apo lart, gishtin e madh të dorës. Për Habilajt, Tahirin, Sotën, dhe sidomos për Ramën.

Këtij gjykimi, kryeministri po përgatitet t’i bëjë bisht, po përgatit alibinë. Po kërkon të spostojë vëmendjen nga paaftësia, në rastin më të mirë, e tij për të luftuar krimin e organizuar dhe lulëzimin e kanabisit, tek kolegët ndërkombëtarë, që duhet ta ndihmojnë në këtë betejë e cila, sipas Ramës tani, nuk është vetëm e tij.

Fatkeqësisht, kjo letër nuk është një SOS; në nëntekstin e saj mund të quhet  një mea culpa për dështimet me krimin, por kurrsesi një kërkesë për ndihmë.    

Kjo letër është një tjetër lepur që del nga kapelja e prestigjiatorit më të madh të politikës shqiptare. Që  qytetarët ta marrin seriozisht këtë letër, ajo duhet  të ishte nisur në momentet e para të qeverisë Rama 1,  dhe jo pasi kryeministri festoi në Pallatin e Kongreseve, përpara ndërkombëtarëve, “historinë e suksesit”, që ishte lufta kundër hashashit.

Kancelaritë e shteteve në të cilat ajo letër është shpërndarë kanë qenë të informuara për situatën në vendin tonë,  gjithashtu për pasojat në vendet e tyre; liderët rajonalë të cilëve sot i’u bëhet apel, Italia e Habilajve dhe Greqia e Balilajve, e dinin prej kohësh, mjafton të shohim kur kanë nisur hetimet; mjafton të kujtojmë si u zhvilluan ato (me mënjanimin e palës shqiptare për shkak të pabesueshmërisë së “drurëve të shtrembër” që duhet të luftonin “baronët e krimit”). 

Një vend normal, beteja të tilla i zhvillon në mënyrë serioze; një vend normal kërkon mbledhjen e një samiti rajonal; një vend normal kërkon mbledhjen e një tryeze të rrumbullakët midis shtetit eksportues dhe shteteve pritëse të lëndës narkotike; një vend normal kërkon ndihmë specifike në burime njerëzore, financiare dhe teknike; një vend normal përdor ambasadorët dhe jo Financial Times për të komunikuar me partnerët e tij. 

Por, sikurse thamë me sipër, kjo letër nuk është një kërkese për ndihmë, vendet e BE-së këtë e dinë. Fatkeqësisht, kryeministri ynë e di, gjithashtu. Po ne?

Të fundit