Flash News

KRYESORE

Një pension special dhe një dekoratë për Ermionin; të fundmen e Popajve, 'Dhjetoristen e parë'

Një pension special dhe një dekoratë për Ermionin; të

Alfred Lela

Me një ekip të Politiko.al, dhe me shkrimtarin Ylljet Aliçka, e vizituam një ditë fundnëntori në shtëpinë e saj në periferinë e Durrësit. Ideja përmblidhej te të bërit bashkë të shkrimtarit me një personazh të vetin.

Ylljet Aliçka ka shkruar romanin 'Valsi i lumturisë', një rrëfenjë e aktit të gjashtë anëtarëve të familjes Popa që u futën me finesë, trimëri dhe dredhi në territorin e Ambasadës italiane.

Enver Hoxha kishte vdekur në fillim të prillit 1985. Popajt guxuan, pak muaj më vonë në dhjetor të atij viti, pa e ditur se dita e Shën Spiridhonit,  siç i pëlqen Ermioni Popës ta kujtojë sot, do të ishte vetëm fillimi i lirsë dhe bashkë me të i një kalvari të gjatë shqiptaro-italian.

Popajt qëndruan në Ambasadë plot 5 vjet. Pas një vizite 'të qepur' enkas për Popajt, fakt që u mbajt i fshehtë nga regjimi i Alisë që kish zëvendësuar Hoxhën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Perez de Kuelar, arriti të siguronte pasaporta dhe leje, dhe të gjashtët u shpërngulën nga Shqipëria drejt Italisë.  

Pas 12 vitesh aspak të lehta në Romë, një pjesë e Popajve kthehen në Durrës. Shtëpinë e vjetër afër Vollgës nuk e gjejnë më. Popajt vendosen në shtëpinë ku Ermioni banon sot, në periferi të Durrësit. Aty edhe vdesin me radhë. Ermioni, 75-vjeçare është e fundit.

Fqinjët e saj nuk e duan. Ajo ushqen qentë e lagjes të cilët, të mësuar me një dorë që i mëkon, grumbullohen rreth dritareve të apartamentit të saj në kat të parë. Natën bëjnë zhurmë dhe kjo i shqetëson njerëzit që nuk i duan kafshët.

Ermioni tregon dramën e saj, me tronditjet e një jete që në kushte të tjera duhej të kishte qenë fjollë. Ajo rrjedh nga një familje e vjetër dhe e shkolluar e Durrësit. Ardhja e komunizmit e ndërpreu mëndafshin e kësaj fisnikërie duke derdhur mbi jetët e Popajve hekurin e rëndë dhe të ftohtë të persekutimit.

Kjo i bëri që më 12 dhjetor (5 vjet më vonë studentët do të ngriheshin në demonstrata, dhe pak ditë pas tyre do të formohej forca e parë opozitare e regjimit, Partia Demokratike), të 'shkelnin', në mes të ditës, në 'tokë të huaj'. Duke u futur në Ambasadën italiane, ata i dhanë një dackë imazhit publik të brendshëm e të jashtëm të qeverisë komuniste të Ramiz Alisë.

Siç thotë Aliçka në faqet e 'Valsit...' dhe Kadare në parathënien e botimit francez, Popajt ishin 'dallëndyshet e para të demokracisë'.

Në Shqipëri nuk është vënë re kjo. Askush nuk e mban mend aktin kurajoz të Popajve, disidencën ekselente, dhe as krisjen që i dha murit të errët të stalinizmit shqiptar ajo lëvizje.

Popajt qenë shqiptarët e parë që 'shkelën në Hënë'. Në anën e panjohur të hënës nokturne të një regjimi që kish lënë telave me gjemba, vijës së klonit, kufijve, burgjeve, kampeve të internimit, me mijra të tjerë që kishin guxuar afërsisht aq, më shumë, apo më pak.

E djathta duhet ta fusë 12 dhjetorin në kalendarin e saj. Popajt qenë para sudentëve. Ai inkursion i tyre në Ambasadë, qe paradhoma e 8 dhjetorit të vitit 1990. Guximi që i priu kurajos studentore.

Nga qeveria nuk mund të pritet shumë, por Ermioni Popa meriton një pension special. Anipse, siç kujton ajo, Kristaq Rama shkoi në Ambasadën italiane, pak pas futjes së tyre, për të negociuar daljen, pendesën e tyre dhe kthimin në 'parajsën e socializmit'. Në emër të regjimit, në emër të shokut Ramiz.

Nëse Edi Rama e bën këtë akt, megjithë përfshirjen e të atit, dhe ndoshta bash prej kësaj molepsjeje, aq më mirë për të.

Edhe Presidenti Meta mund të bëjë një akt. Nga ajo 'kioskë dekoratash', që paraardhësit e tij e kanë kthyer shpesh institucionin që drejton, Presidenti mund të reshtë dekorimin e pallonjve të tranzicionit dhe të njohë për një çast heronjtë e vegjël, disidentët e parë, të harruarit, ata që ia bënë me shenjë historisë, shumë më parë se kronika të fillonte ciklimin e këtyre emrave që dëgjojmë sot, nga mëngjesi në mbrëmje.

 

Të fundit