Flash News

KRYESORE

Njëra mjeke, tjetra police/ Nënë e bijë nga Elbasani rrëfejnë luftën e përditshme me Covid-19, sfida si të mbrojnë veten dhe gjyshen 91-vjeçare 

Njëra është mjeke, ndërsa tjetra punonjëse e policisë. Nënë e bijë nga Elbasani janë në luftë të vazhdueshme që në krye të herës me ‘armikun e padukshëm’, që ka “mbërthyer” prej disa javësh edhe vendin tonë.

Pranvera Kullolli, inspektore me Policinë e Burgjeve, në IEVP Elbasan dhe Aurela Kullolli, mjeke e përgjithshme në Qendrën Shëndetësore nr.1 në Elbasan kanë rrëfyer për Politiko.al sfidën e përditshme me Covid-19, rrezikun që u kanoset në çdo moment dhe përgjegjësinë për ta mbajtur virusin sa më larg vetes, por edhe gjyshes 91-vjeçare për të cilën kujdesen në shtëpi.

Dy pjestare të familjes ekspozoheni dhe përballeni çdo ditë me rrezikun e infektimit nga Covid-19. Sa e vështirë është kjo për ju?

Aurela: Profesionet që ushtrojmë si unë, ashtu edhe mami kanë vështirësi në çdo moment, sidomos profesioni i mjekut, i cili është i ekspozuar jo vetëm tani në periudhë pandemie, por ndaj çdo lloj sëmundjeje ngjitëse.

Megjithatë, sot është më e madhe mundësia e infektimit me coronavirus, siç dihet është në kontakt të vazhdueshëm me pacientët.

Pranvera: Unë jam pak më optimiste krahasuar me vajzën dhe po e përballoj me forcë. Megjithatë, mund të them se tani përgjegjësia ime është e dyfishtë. Shkoj në punë si zakonisht, kushtet i kam të mira, por mendjen si çdo nënë e kam shumë herë te fëmijët, pasi unë kam dy vajza.

Me shpresën dhe besimin se çdo gjë do të shkojë mirë, them se do ta kalojmë. Sapo mbaroj orarin e punës, gjëja e parë që bëj është telefonoj vajzat e mia.

A keni frikë se mos ndonjë ditë, sidomos Aurela, mund të bjerë në kontakt me ndonjë të infektuar?

Aurela: Veç gripit sezonal gjithmonë ekziston rreziku pasi kemi kontakt fizik me pacientët. Gjithnjë marrim edhe historikun e tyre nëse ka patur temperaturë, apo shqetësime të tjera.

Kemi patur pacientë që janë kthyer nga jashtë, si nga Italia, Kroacia... dhe i kemi pyetur nëse kanë patur simptomat tipike të Covid-19 dhe i kemi mbajtur vazhdimisht nën observim.

Tjetër kategori që kemi patur këto kohë kanë qenë familjarët dhe kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitivë, edhe ata janë mbikqyrur. Tani falë edhe telefonave, pacientët sqarohen pa patur nevojë të vijnë në qendër shëndetësore, siç janë p.sh rastet kur duan të marrin recetë me rimbursim.

Pranvera: Rreziku ekziston sigurisht në çdo moment, por kemi shpresë se do ta kalojmë. Të gjitha masat i kemi marrë aq sa na kanë kërkuar autoritetet.

A ka patur Aurela pacientë të infektuar këto kohë?

Elbasani ka patur disa raste të prekur me coronavirus, por mua personalisht deri tani nuk më ka rastisur që të kem kontaktuar me persona që kanë rezultuar të infektuar me Covid-19.

Madje, mund të përmend një moment, si një ironi e fatit, pasi unë kam të bëjë cdo ditë me pacientë dhe u frikësova se mos isha infektuar në një bankë. Disa javë më parë mësova se kishte rezultuar pozitive një punonjëse e një banke në Elbasan dhe pikërisht ato ditë unë kisha kryer veprime në arkë.

Kam kaluar një periudhë jo të lehtë deri sa mësuam se personi me të cilën kisha patur kontakt në bankë rezultoi negativ.

Cilat janë këshillat që i jep Aurela- mamasë nën cilësinë e mjekes?

Pranvera: Ajo është mjeke dhe i di vetë më mirë se çdokush rregullat për t’u mbrojtur në këtë kohë. Porosia ime është të ketë kujdes, sepse sado meraku i nënës është i vështirë për t’u lënë mënjanë.

Aurela:  Unë sigurisht, ato këshilla që u jap pacientëve, u jap dhe familjarëve të mi. Të respektojnë kushtet e distancimit, të lajnë duart sa më shpesh, pra të ruajnë veten dhe të tjerët. Më ndodh shpesh që ndonjëherë nga lodhja kam dhimbje kokë në darkë dhe sapo i ankohem mamasë, ajo s’e fsheh merakun dhe frikën se mos jam infektuar.

Në fillim kisha vërtet frikë, sidomos me ato që shikonim përmes mediave në Itali, por me kalimin e kohës jemi qetësuar.

Përgjegjësia jonë është edhe më e madhe, sepse në shtëpi me ne jeton motra dhe gjyshja. Unë në 3 mars kam humbur parakohe edhe babain dhe kam frikë se mos infektoj gjyshen, e cila është në moshë të thyer.

Megjithatë, na duhet të jemi të forta dhe të luftojmë me këtë armik të padukshëm. Ishte babai, ai që na mësoi të mos dezertonim kurrë...!

Sa vjeç është gjyshja dhe si ia bëni që ajo mos të infektohet nga virusi që mund të vijë përmes jush çdo ditë kur ktheheni nga puna? 

Gjyshja është 91 vjeçe dhe ne të treja, bashkë me motrën, Elsën dhe mamanë kujdesemi njësoj për gjyshen e moshuar.

Nuk i kemi kushtet në shtëpi që ajo të qëndrojë veçmas nesh, por ne po bëjmë maksimumin që ajo të jetë sa më e mbrojtur. Mbajmë shumë higjienë dhe përdorim ushime sa më të freskëta dhe të shendetshme.

Si shfaqet situata e pandemisë Covid-19 në Elbasan, pacientët që trajtoni këto ditë, a shfaqin shenja frike, pasigurie nga virusi i ri?

Po, ka shumë pacientë që shqetësohen dhe vijnë më shumë me shenja ankthi. Është normale për shkak të periudhës së vështirë që po kalojmë të gjithë.

Burrat apo gratë ankohen më shumë?

Më shumë janë burrat ato që ankohen dhe që rezultojnë me shenja ankthi. Si duket, e ndjejnë më shumë frikën pasi u mungon edhe ajo përditshmëria dhe rutina e tyre si kafenetë, apo vendgrumbullimet me shokët.

A keni probleme me maskat dhe pajisjet mbrojtëse në qendër shëndetësore?

Kryesoret janë, por mjekut të familjes mund t’i duhet që të shkojë të kryejë vizita edhe nëpër shtëpitë e pacientëve, sepse jo gjithmonë vizita mund të kryehet përmes telefonit. Deri tani nuk më ka rastisur, por ndoshta do më duhet në ditët në vijim.

Kjo edhe për faktin se edhe urgjenca tashmë prej disa javësh është e ngarkuar për shkak të pandemisë.

Politiko.al/ S.Gj

Të fundit