Flash News

KRYESORE

Njësoj si Vuçiç, ngjarja e para 4 viteve në Beograd që mund të ketë frymëzuar Ramën për shembjen e Teatrit

Njësoj si Vuçiç, ngjarja e para 4 viteve në Beograd

Shembja e Teatrit Kombëtar që pa gdhirë e diela e 17 majit mes terrorit të policisë dhe ndërhyrjen e menjëhershme me fadroma, u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe aktivistëve e protestuesve.

Shumë prej aktivistëve qëndrestarë u morën me forcë dhe u shoqëruan në komisariate të ndryshme në Tiranë që në 04.00 të mëngjesit përmes një operacioni të mirëmenduar.

Siç kanë treguar edhe aktivistët,  mëngjesin e së dielës, mbi 20 forca RENEA kanë hyrë me armë në sallën e Teatrit duke nxjerrë prej aty personat e pranishëm dhe për 30 minuta bllokuan edhe valët e telefonit.

Më pas buldozerët e Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit nisën ta rrënojnë godinën, pas 27 muajsh rezistencë kundër shembjes së godinës, në të cilën gdhendeshin 81 vite ngjarje, kulturë, histori vlerash.

Ky kundërshtim i projektvendimit të qeverisë Rama cilësohej vazhdimisht si prej aktivistëve, ashtu edhe prej opozitës se lidhet me përfitimin e një grushti njerëzish dhe se pas godinës së re mund të ngrihen kulla.

Por, disa prej elementëve të kësaj ngjarje të çojnë në një ngjashmëri të madhe të një tjetër ndodhi të regjistruar katër vjet më parë, por në Beograd, kur kryeministër i Serbisë në atë kohë ishte Aleksandar Vuçiç, me të cilin kryeministri Rama nuk e fsheh ‘marrëdhënien e hapur, apo edhe miqësore’ siç e cilëson ai.

Bëhet fjalë për natën e 24 prillit ku u shkatërrua me ekskavatorë një lagje e Beogradit, në Savamala, zonën e artit dhe jetës së natës.

Siç raportojnë mediat serbe, mbrëmjen e së dielës, më 24 prill mbi 30 burra të maskuar dhe të pajisur me shkopa bejsbolli dhe tre ekskavatorë, shkatërruan disa ndërtesa, objekte ndërmarrjesh dhe një restorant në lagjen Savamala.

Autorët e bllokuan për këtë arsye rrugën me dy kamionë, arrestuan kalimtarët e rastësishëm, kërcënuan me dhunë dhe konfiskuan telefonat celularë. Gjithë natës as telefonatat e qytetarëve nuk kishin valë, ndërsa në agim kishin mbetur vetëm rrënoja dhe kjo në mes të kryeqytetit serb Beograd.

Mediat kryesore heshtën për këtë ngjarje. Po ashtu shumë kritikë deklaronin se bandën e kanë organizuar, ose të paktën toleruar, ata që janë në pushtet.

Kjo ngjarje u shoqërua me një valë protestash kundër këtij projekti, në të cilat morën pjesë edhe partitë e opozitës.

Kryetari i Beogradit, Sinishsa Masli, një aleat i Vuciç kishte një rol të rëndësishëm në marrëveshjen me investorët e Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar objekte në stilin e Dubait si dhe objekte banimi në zonën afër Lumit Sava ku u krye aksioni. Marrëveshja parashikonte investime me vlerë prej 3 miliardë dollarësh, e cila u kritikua si një projekt i papërshtatshëm për Beogradin, dhe se pas saj kishte hije dyshimi për korrupsion.

Të fundit