Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme: Cakaj në konferencë, sinjali mundësohet nga ‘Edi Rama Tv’

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, do të zhvillojë sot një bisedë me gazetarët mbi raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ajo që bie mënjëherë në sy në njoftimin zyrtar të MEPJ-së është përmendja e ‘Edi Rama Tv’, i njohur ndryshe ‘ERTV’, që do i vendosë në dispozicion mediave sinjalin audio dhe video të konferencës.

“Sot, datë 30 mars, në orën 13:30, Ministri në Detyrë Gent Cakaj, do të jetë në një bisedë me gazetarët mbi raportin e DASH. Gjithçka do të jetë onrecords nga MEPJ. Sinjali audio-video do të mundesohet nga ERTV.  Jeni të mirëpritur”, thuhet në njoftimin që MEPJ u ka dërguar gazetarëve.

Në kohën kur Ministria e Jashtme drejtohej nga Ditmir Bushati, konferencat mbuloheshin nga kamerat e çdo televizioni, ndërsa në rrjetet sociale publikoheshin nga stafi i Ministrisë. Me delegimin e kompetencave te Gent Cakaj, MEPJ ka futur “risinë” e ‘Edi Rama Tv’.