Flash News

OP-ED

Normalizimi i autoritarizmit në Shqipëri ose ‘jeta në kopshtin zoologjik’

Normalizimi i autoritarizmit në Shqipëri ose ‘jeta në

Altin Gjeta*

Në dy muajt e fundit njerëzimi, veçanërisht bota perëndimore është kapur në befasi dhe po përballet me një nga krizat më të mëdha shëndetësore të një gjenerate, që kur virusi korona u përhap me shpejtësi në Europë dhe SHBA nga Wuhan, qendra e provincës Hubei në Kinë. Shpejtësia e transmetimit të infeksionit, pasojat imediate dhe kërcënuese mbi shëndetin e njeriut, si pasojë e mungesës së një trajtimi mjekësor të provuar, si dhe implikimet e menjëhershme që po sjell në ekonominë kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe jetën sociale, kanë sjellë në vëmendjen e komentatorëve, studiuesve dhe publikut, rolin e shtetit në shoqëri. Kjo edhe për faktin se virusi duket se ka goditur me një forcë të paprecedentë botën e ‘bardhë’, të ‘civilizuar’ dhe ‘të epërme’ për nga sistemi politik, dija, pasuria dhe teknologjia që zotëron, ku jeta konceptohet si një privilegj nga i cili nuk hiqet dorë lehtësisht.   

Si asnjëherë që pas përfudimit të Luftës së dytë Botërore, pasarelat e modës dhe katedralet kumbuese në Milano dhe Romë janë mbyllur, muzetë, metrotë dhe parqet gumëzhitëse në Berlin, Paris, Londër dhe Nju Jork janë kyçur në një pasiguri dridhëruese për të ardhmen. Bota ka ndalur dhe po vrojton sesi nën këmbët e saj po shkërrmoqen konceptet e pothuajse një shekulli mbi raportin e njeriut me natyrën, me veten dhe qeverisjen. 

Përhapja e rrufeshme e virusit dhe pamundësia jonë për të parashikuar dhe kundërpërgjigjur ka treguar siç thoshte sociologu gjerman Ulrich Beck se ideja se ne jemi zotërues të universit ka kolapsuar plotësisht. Ndarja mes natyrës dhe njeriut si dhe raporti i tyre hirearkik ka marrë fund. Për më tepër, distancimi social, vetëizolimi, mbyllja e kufinjve dhe deklarimi i gjendjes së emergjencës kombëtare po sfidojnë seriozisht raportin tonë me lirinë dhe moralin siç ne i kemi njohur deri më sot.

Për një nga mendjet më brilante të shekullit XX-të dhe dishepujt e shoqërisë së lirë, ekonomistin austriak Friedrich Hayek, liria mund të pranojë faktin se nuk jemi të lirë të bëjmë gjëra specifike, por ajo nuk mund të ekzistojë nëse individi duhet të kërkojë leje për të bërë pjesën më të madhe të gjërave që ai mendon se i konvenojnë arritjes së qëllimeve së tij. Në momentin kur epidemia e koronaivirusit mund të kolapsojë sistemin shëndetësor dhe kështu të rrezikojë më shumë shtresat vulnerabël të shoqërisë si të sëmurët kronikë, moshën e tretë apo endacakët, liria jonë për të dalë për të blerë bukë, lexuar në shtëpi apo organizaur ndonjë festë të vogël, ndërkohë që mund të bëjmë punë vullnetare në komunitet bëhet objekt gjykimi etik dhe moral nga shoqëria.  

Në një situatë të tillë, kudo politikbërësit janë vënë përballë dilemave të mëdha sesi duhet adresuar epidemia e koronavirusit, si mund të arrihet një ekuilibër optimal mes shpëtimit të sa më shumë jetëve, ruajtjes së ekonomisë dhe mbrojtjes së lirive individuale dhe të drejtave civile. Përballë presionit të një katastrofe njerëzore dhe ekonomike, pa përjashtime të mëdha, të gjitha vendet perëndimore i janë rikthyer konceptit biopolitik të qeverisjes,‘kontrollim dhe komandim’, të filozofit prominent francez Michel Foucault duke hequr kështu dorë nga politikat neoliberale të tri dekadave të fundit të cilat ka vënë theksin te përgjegjësia individuale dhe shteti i vogël. Kështu njeriu si subjekt i qeverisjes tashmë po shikohet si problem në menaxhimin e krizës, i papërgjegjshëm, joracional dhe rrezik për veten dhe qytetarët e tjerë, prandaj, jeta e tij duhet të administrohet nga ‘lart’ nga një autoritet me ratio (arsye) si shteti i cili, siç presupozon Foucault, siguron, mbron dhe shumëfishon jetën duke vendosur rregull. 

Kjo qasje ndaj krizës ka ngjallur diskutime filozofike dhe praktike, jo vetëm mbi efektshmërinë e saj, por edhe mbi pasojat afatgjata që ajo mund të sjellë mbi demokracinë, e cila siç thotë Jacques Derrida nuk është një proces i fundëm, por i gjallë dhe në ardhje, në kuptimin që ajo nuk është kurrë e plotësuar dhe prezente në formën e saj ideale. Koronavirusi, si çdo murtajë tjetër që ka kapluar botën, do të kalojë. Ndërsa dilema dhe frika është se masat drakoniane të emergjencës do të bëhen normë në një kontekst kur shoqëria është më e prirur të tregtojë lirinë për sigurinë. 

Ndërkohë që demokracitë e konsoliduara i kanë të gjitha mekanizmat kushtetues, politik dhe civil që të kthehen te status-quo-ante në kuptimin politik, vende me tendenca antidemokratike si Shqipëria rrezikojnë përnjëmend të rrëshqasin përfundimisht në autoritarizëm. Kriza e koroanvirusit do të bëhet toka fertile ku autokratët do të mund të mbjellin farën e despotizmit që ta korrin madej në kohë paqje si shpërblim ndaj fitores së luftës. 

Shporpocionaliteti i masave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare që nga fillimi i Marsit në kuadër të përmbajtjes së përhapjes së koronavirusit është fillimi kësaj fushate të mbjellash dhe konteksti jonë socio-politik e bën këtë më shqetësuese në disa plane. Së pari, si pasojë e një tradite civile të munguar, kolapsimit të pritshëm ekonomik dhe frikës nga e panjohura, vihet re një topitje totale përballë agresionit të përditshëm të kryeministrit  nëpërmjet lëshimit të akteve normative dhe vendimeve ekstreme kundrejt kufizimit të të drejtave dhe lirive fondamentale të qytetarëve. Së dyti, rreziku i instalimit të një regjimi autoritar me tipare sulltanore, bëhet edhe më i lartë në konteksin e mungesës së plotë të çdo balance dhe kontrolli kushtetues të ekzekutivit, i cili aktualisht ushtron pushtet pa asnjëlloj kufizimi nga parlamenti apo gjykata kushtetuese, e cila mbetet jashtë funksionit. Triskat e bukës që shpërndan qeveria mund të ‘blejnë’ heshtjen e qytetarëve dhe medias ndaj abuzimit të pushtetit dhe të çojnë në margjinalizmin e opozitës. Së treti, megjithë kompleksitetin e tij, faktori ndërkombëtar kurdoherë ka qenë rrjeta e fundit shpëtuese e gjysmëdemokracisë shqiptare në këto tri dekada. Gjasat janë që në vitet në vijim mentorët ndërkombëtarë do të jenë më shumë të zënë në betejën afatgjatë me pasojat e krizës shumëdimensionale, ekonomike, sociale dhe gjeopolitike që do të lërë pas pandemia e koronavirusit çka do të rrëzonte edhe mekanizmin e fundit të kontrollit ndaj një pushteti në eskalim drejt koncentrimit në duart e një njeriu. 

Andaj, përtej nevojës emergjente për të shpëtuar ‘bion’ (jetën) shoqëria shqiptare duhet seriozisht të mendojë për polisin (demokracinë) pa të cilën ajo do të ishte thjeshtë ‘jetë’ në një kopsht zoologjik.   

*Chevening Fellow-University of Westminster

Të fundit