Flash News

OP-ED

Nuk është kanabisi problemi i Ramës, por Rama problemi i kanabisit

Nuk është kanabisi problemi i Ramës, por Rama problemi i

Alfred Lela

Deklarata e kryeministrit Rama se do të sponsorizojë një ligj që parashikon legalizimin e kanabisit ‘për qëllime mjekësore’, ka sjellë reagime të shumta, nga të gjithë krahët, për të gjithë qëllimet.

Implikimet e futjes në legjislacionin shqiptar të një ‘kapitulli’ të tillë janë të shumta, por ndër to katër janë kryesore: politike, ekonomike, ideologjike dhe shoqërore. Të parat, implikimet politike, do të zënë, si shpeshherë dhe fatkeqësisht, vendin e luanit në arenën e debatit, edhe pse, shpesh, do të mvishen me leskra idelogjike, ekonomike dhe shoqërore. Këtë e ndihmon edhe konteksti dhe profili i qeverisë aktuale, e cila shihet, si brenda dhe jashtë, si liberale me trafikun ilegal të kanabis sativës, ide që ka zënë vend në formë fakti në shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare. Megjithëse, edhe po të mos ekzistonin raportet të cilat, gjithesi, janë transportierë të dhënash mbledhur në mënyrë mekanike dhe teorike, publiku e ka përjetuar kanabizmin e Shqipërisë nga Jugu në Veri, nga Lazarati në Vermosh, kështuqë studimet janë sa për të hedhur në fushë ‘arbitrin e katërt’.

Qeveria Rama i ka paraprirë legalizimit të kanabisit duke ia filluar nga ‘ilegaliteti’ i kësaj bime fitimprurëse. Ajo që e dëmton seriozitetin e propozimit të qeverisë është ndjesia se ajo është profitere në të dyja gjendjet dhe të dyja raportet me ‘tërfilin e halucinacioneve’: legalitet dhe ilegalitet. Pra, obsesioni se qeveria e majtë po shndërrohet në një ‘trust të kanabisit’.

Shpirti ekonomik i vendit, sipërmarrësve dhe shtresës së mesme, duhet të jetë dërrmuar tashmë nga rrëshqitja e pasurive kombëtare në pak duar, të gjitha të lidhura me mijra fije me pushtetin. Dhe kjo nuk është zili, por është dëshpërimi i të jetuarit në një ‘atdhe të dytë’ i cili u shërben vetëm ‘të parëve’ të vet.

Implikimi politik dhe shoqëror bëhen bashkë këtu, duke rrugëtuar edhe drejt shqetësimesh të tjera, përveç përqendrimit të shanseve në pak duar, si për shembull infrasktruktura policore dhe e njësive të tjera të zbatimit të ligjit. Si do të zhvendosen këto njësi, që deri dje shiheshin si të lidhura me trafikantët, në një ‘model’ të ri të legales? Më tej ende, droja se mos legalizimi nuk ndodh për gjë tjetër, veçse për të pastruar pikërisht ato para që janë bërë në ilegalitet me të njëjtën bimë (edhe pse riqarkullimi në ekonomi i kësaj paraje do të ishte pozitiv, shqetësimi shoqëror ka të bëjë me atë se elitave ekonomike të dyshimta do i shtohej edhe një shtresë tjetër që vjen nga nënbota e krimit).

Një tjetër rrafsh i implikimit politik dhe shoqëror është vonesa alarmante e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ata e patën rastin e artë me Lazaratin. Duke kujtuar ndërhyrjen brutale që mori jetën e një polici special, zhyti qelive disa të rinj dhe ka prishur disa familje, Rama ‘liberal’ i sotëm ngjan një habi e dalë nga Rama ‘radikal’ i asokohe. Legalizimi i kanabisit duhet të kishte filluar nga Lazarati, ndërkohë një markë e marijuanës ‘Made in Albania’ në Europë. Sigurisht, Rama i asokohe nuk kishte ndërmend marketizimin e Shqipërisë, por tehun europeist të propagandës politike me sytë nga antarësimi. Sot është ekonomikisht i dështuar dhe, siç pohoi Samiti i Zagrebit, pa ndonjë prospekt zgjerues nga BE, sa kohë pandemia dhe trazira botërore të jetë nëpër këmbë.

Implikimi ekonomik është një kafshë më vete dhe kurrizi i saj kërkon ekonomistë, por në pamje të parë hapja e tregut ndaj një produkti ‘ilegal’ dhe të lakmuar, nuk ka pse të pritet si kundërproduktive. Shumë shtete në Amerikë dhe disa në Europë mund të konsultohen për të parë negativet dhe pozitivet e këtij hapi.

Sa i takon implikimit idoelogjik, jetojmë në një vend pa kurrfarë ideologjie. Mjafton të kujtojmë se, një ish-kryeministër konservator i së djathtës, e ofroi Shqipërinë para disa vitesh si ‘eksperimentale’ të legalizimit të martesave brenda gjinisë.

Thënë gjithë këtë, legalizimi i kanabisit do të ishte, teorikisht, vendimi i duhur, edhe pse koha e duhur ishte para pesë vitesh, kur u ndërhy përçart në Lazarat, vendi i duhur nga mund të fillohej ky ‘aksion liberal’ i Ramës.

Por, kjo është telajo politike e kryeministrit tonë: kur i ka hije të tregohet liberal, luan Rambon, dhe kur ngjarjet ‘ia çajnë digën e historisë’, luan vetveten. Një aktor politik humbur në kallamishten e dendur të shanseve të humbura.

Të fundit