Flash News

OP-ED

Nuk është shah, por 'lojë me letra': të jap Lleshin e Bendon, më jep Tushën

Nuk është shah, por 'lojë me letra': të jap

Alfred Lela

Presidenti i Republikës krijoi përshtypjen se ajo që nuk shkonte me Sandër Lleshin ishte reflektimi i një panorame të gjerë gjërash dhe filozofie, që kërcisnin te Edi Rama dhe doktrina e tij të qeverisjes, të etiketuar si Rilindje.

Pas dy javësh me tension, në tehun e të cilit ecnin në majë të gishtave shpresa se pushteti i një 'Republike kryeministrore' mund të balancohej nga 'filozofia politike' e një 'Presidenti republikan', u mor vesh se e gjitha ishte 'punë gradash' dhe punë zanoresh në fund të një emri të krishterë.

Nuk kishte pra 'Llesh të zi' dhe gjithçka mbet mund të përkufizohet si 'për një 'j' që ti se vë'. (Pikat mbi i nuk janë detyrë e lartë presidenciale).

Meta doli nga pjesa e parë e 'betejës së ftohtë' dhe u nis në Itali për të takuar homologun italian Matarella i cili kishte refuzuar një prej ministrave të kabinetit aktual me një qëndrim që rrotullohej rreth filozofisë politike: integrimit europian, të ardhmes monetare dhe doktrinës europeiste që, me sa dukej, 'kërcënoheshin' nga euroskeptiku Paolo Savona.

Kur të mbërrinin të dy në Kalabri, në Horën e Arbëreshëve, Matarella dhe Meta mund të takoheshin si dy Precedentë, jo vetëm si Presidentë. Që të dy e kishin refuzuar një dekret kryeministror (Matarella duke e paralajmëruar refuzimin para se dekreti t'i shkonte), dhe që të dy dukej se kishin përdorur arsyetime të nxjerra prej një 'filozofie politike'.

Na u desh edhe një javë tjetër për të kuptuar se Presidenti ynë nuk ishte i aftë, ose nuk donte, ose nuk i konvenonte një artikulim i tillë i cili krijonte idenë e checks-and-balances institucional. Nuk se arsyetimi i fundmë i Presidentit nuk shkon. Nëse ka një mospërputhshmëri kushtetuese mes dy statuseve juridikë të z. Lleshi, ai duhet ta zhbëjë. Megjithatë kreu i shtetit nuk na e ofroi pajtimin dhe arsyetimin e këtij teksti. Ai krijoi në publik shijen se bëhej fjalë për diçka më të rëndë ose, te shpresëmirët apo iluzivët, përfshi autorin e këtyre radhëve, se ai kish zgjedhur (gjë e rrallë në politikën tonë) t'i nënshkruhej një 'filozofie politike'.

Për ta përmbyllur të metën e arsyetimit pa arsye dhe zbardhjes 'më-the-të-thashë', z. Meta lëshoi nga dritaret e presidencës dy pëllumba, posta e të cilëve çonte shenja të ndryshme për njerëz të ndryshëm.

Dekretimi i Heldion Bendos si shef i SHISH pas 'marinimit' për një vit në sirtarët presidencialë, dhe propozimi i Vitore Tushës si shefe potenciale e KLSH, ishin pjesa e lëshimit në tërheqjen e litarit që Presidenti po i bënte Kryeministrit.

Tani që Meta e dekretoi Lleshin (apo Lleshajn) duhet të kthejmë vëmendjen dhe kureshtjen nga sjellja që mazhoranca do të shfaqë me Vitore Tushën, propozimin në cajtnot të Presidentit.

Kalimi i saj në Kuvend do të thotë se, çka u pa si përplasje apo 'filozofi politike', nuk qe më shumë se 'pazar politik'.

Të fundit