Flash News

KRYESORE

Nuk hyri dot në Kuvend, por Rama nuk e harron Safet Gjicin, i bën ‘dhuratën’ 3.5 milionë euro

Safet Gjici ishte kandidati i dytë në listën e PS-së në qarkun e Kukësit, por pavarësisht se kishte edhe bashkëpunimin e ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nuk arriti të hynte në Kuvend, çka do të sillte një përmbysje të rezultatit në bastionin historik të demokratëve.

Megjithatë, Gjici nuk është harruar nga kryetari i tij, Edi Rama, i cili së shpejti do t’i bëjë një ‘dhuratë’ shumë bujare.

Klubi i Kukësit ka publikuar plan-projektin e stadiumit të ri që do të ndërtohet në qytet. “Zeqir Ymeri” do të rindërtohet dhe impianti i ri do të kapi vlerën e 3.5 milionë eurove. Por, në njoftimin e klubit, theksohet se ndërhyrja në stadium do të nisë pas miratimit të buxhetit nga qeveria shqiptare, çka do të thotë se paratë do të dalin nga shteti.

“Mbas miratimit të buxhetit nga qeveria shqiptare do të nisë edhe ndërhyrja në stadium. Presidenti Gjici ka besim se ky projekt do të miratohet nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i stadiumit është një e mirë për qytetin e Kukësit, pasi sjell një tjetër impakt në jetën dhe ekonominë e qytetarëve. Skuadra kampione e Shqipërisë e meriton një investim të tillë edhe për shkak të historisë që ka bërë këto vitet në futbollin shqiptar”, thuhet ndër të tjera në reagimin zyrtar të F.K. Kukësit, që ka president Safet Gjicin.

Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka premtuar prej kohësh ndërtimin e një stadiumi të ri në Vlorë, ndërsa premtimet nuk kanë munguar as në Korçë apo në Fier.

Projekti për stadiumin e Kukësit

Të fundit