Flash News

KRYESORE

Nuk i dhanë mjekimin e duhur, drejtoresha e qendrës shëndetësore flet për vdekjen e gruas në Shijaku: Iu dha ndihmë, por ishte e padobishme

Një 36-vjeçare gjeti vdekjen dy netë më parë në spitalin rajonal të Durrësit, në rrethana ende të paqarta, ndërsa dyshimet e para për këtë ishin se se mjekët nuk i kanë dhënë mjekimin e duhur.

Margarita Keçi, banore e Shijakut, u paraqit në qendrën shëndetësore Shijak për të marrë ndihmë shëndetësore nga mjeku i familjes dhe më pas nga mjeku i qendrës shëndetësore, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore nuk u përmirësua ajo u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Rajonal të Durrësit ku dhe ndërroi jetë pas 2 orësh.

Drejtoresha e qendrës shëndetësore Shijak Rovena Çeliku, në një prononcim për Report Tv, është shprehur se 36-vjeçarja ka pasur dhimbje stomaku dhe të vjella. Kështu, sipas mjekes ndihma e dhënë nga stafi mjekësor ka rezultuar e padobishme.

"Realisht 36-vjeçarja ka humbur jetën për shkak të diagnozës me gastrik akut. I është dhënë ndihma nga mjekja e familjes, gjendja nuk u përmirësua, u paraqit sërish në urgjencë, mori shërbim sërish. Mjeku respektoi protokollin e barnave. U largua për në Durrës me makinë private, por më pas morëm vesh se ndërroi jetë. Por nuk mund të them konkretisht shkakun, jemi në pritje të autopsisë", tha Rovena Çeliku.

Dyshohet se shkaku i vdekjes së 36-vjeçares mund të ketë qenë një gastrit akut por do të jetë autopsia dhe laboratori i Tiranës që do të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes. Ndërkohë policia e Shijakut ka nisur procedim në gjendje të lirë për 2 mjekët e Shijakut, Misir Sojati dhe Olta Saliasi, me akuzën se nuk dhanë ndihmë të mjaftueshme mjekësore.

 

Të fundit