Flash News

KRYESORE

Nuk kërkohet vetëm “koka” e Adriatik Llallës. ‘Deutsche Welle’: Është sinjal pozitiv; të goditen edhe pushtetarët që të hapen negociatat

Nuk kërkohet vetëm “koka” e Adriatik Llallës.

Media gjermane ‘Deutsche Welle’ ka raportuar sekuestrimin e gati 1 miliard lekë prona të ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla.

Kjo media e konsideron godijen e Llallës nga institucioni që ai drejtonte deri pak muaj më parë si “një sinjal pozitiv që lufta kundër korrupsionit do të përfshijë edhe të ashtuquajturit “të paprekshëm” apo “peshq të mëdhenj”.

Por në shkrimin e ‘Deutsche Welle’ theksi nuk vendoset vetëm te procesi ndaj Adriatik Llallës, por kërkohet edhe godija e ish-pushtetarëve dhe pushtetarëve aktualë të cilët hedhin dhe presin akuza për korrupsion.

“Me të tilla rezultate do të mund të binden pas  një viti shtetet skeptike të BE, si Franca dhe Hollanda që Shqipëria ka bërë progres në atë shkallë sa meriton të nisë në qershor 2019, negociatat e pranimit në BE”, shkruan ‘DW’.

Pjesë nga shkrimi i medias gjermane:

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk i është nënshtruar vettingut  të prokurorëve. Para se të fillonte vetting-u ai deklaroi largimin vullnetar nga sistemi i drejtësisë. Por kjo nuk e pengoi drejtësinë që të mos e hetojë atë. Sekuestrimi i pasurive të patundshme është një sinjal pozitiv që lufta kundër korrupsionit do të përfshijë edhe të ashtuquajturit “të paprekshëm” apo “peshq të mëdhenj”. Është paradoks sesi për pesë vjet kreu i akuzës që duhet të drejtonte luftën kundër korrupsionit po hetohet ne bazë faktesh për korrupsion, pastrim parash dhe ka të sekuestruar pasuritë e tij të paluajtshme.

Hetimi i tij i paanshëm dhe profesionist është një gur prove për reformën në drejtësi. Llalla do të gjykohet nga gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e vettingut. Nëse rasti i tij do të ndiqet edhe nga ish-pushtetarë apo pushtetarë aktualë për të cilët hidhen dhe priten akuza për korrupsion të pavërtetuara, që ndizen dhe fiken sipas politikës së ditës, atëhere do të ketë argumenta se Shqipëria po arrin rezultate domethënëse në luftën kundër korrupsionit. Me të tilla rezultate do të mund të binden pas  një viti shtetet skeptike të BE, si Franca dhe Hollanda që Shqipëria ka bërë progres në atë shkallë sa meriton të nisë në qershor 2019, negociatat e pranimit në BE.

Të fundit