Flash News

KRYESORE

Nxori me forcë gazetarët, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë merr në mbrojtje mjekun: Kishte ngarkesë pune

Nxori me forcë gazetarët, Drejtoria e Shërbimit Spitalor

Në lidhje me fyerjet dhe ofendime e shefit të urgjencës në Korçë ndaj gazetarëve, ka reaguar Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë. Ky institucion merr në mbrojtje mjekun Dhimitër Samara për gjuhën dhe forcën e përdorur ndaj gazetarëve duke e justifikuar me ngarkesën në punë.

Në reagimin e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Korçë thuhet se pasi mjeku u ka kërkuar disa herë gazetarëve me mirësjellje të largohen për të mos penguar punën,  në kushtet e ngarkesës në punë, gjatë komunikimit ka shfaqur elemente te thyerjes se etikës ne komunikim. Për këtë nga ana e Drejtorisë Rajonale të Spitalit Korçë pasi të analizohet ngjarja do te dilet ne një përfundim.

DEKLARATA E PLOTË

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë, duke marrë shkas nga video e publikuar në dt. 12 Dhjetor 2017 në disa media dhe portale online, sqaron të gjithë opinionin publik se ngjarja e ndodhur në ambientet e brendshme të urgjencës së spitalit është analizuar nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë, brenda kuadrit ligjor. Duke iu referuar të gjithë dokumentacionit, deklaratave të stafit mjekësor dëshmitarë në  ngjarje, filmimeve të kamerave të institucionit dhe filmimeve të mara nga gazetarët, kjo drejtori ka arritur në këtë përfundim:

Në dt. 12 Dhjetor 2017, ora 13:30 është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore një qytetar dhe nga ana e shërbimit të urgjencës janë marrë masat për shërbim të plotë ndaj pacientit, duke kryer të gjithë procedurat mjeko-ligjore. Mjeku që është kujdesur për pacientin ka qenë mjeku roje Dhimitër Samara.

Më pas, pranë Shërbimit të Urgjencës janë paraqitur gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët pa asnjë autorizim nga eprori i institucionit apo shefi i shërbimit të urgjencës, kanë kërkuar me insistim të intervistojnë pacientin, i cili ishte duke marrë trajtim mjekësor, çka përbën shkelje të ligjeve, rregullores së institucionit dhe etikës në punë.

Mjeku roje në krye të detyrës për të dhënë ndihmën e parë jo vetëm pacientit në fjalë por edhe pacientëve të tjerë të ndodhur në kushte të emergjencës shëndetësore, shërbim i cili kërkon përgjegjësi të lartë, ju ka kërkuar gazetarëve të qëndrojnë jashtë ambienteve të Shërbimit të Urgjencës.

Pasi ju ka kërkuar disa herë me mirësjellje të largohen për të mos penguar punën, mjeku roje, në kushtet e ngarkesës në punë, gjatë komunikimit të tij me gazetarët ka shfaqur elemente te thyerjes se etikës ne komunikim. Për këtë nga ana e Drejtorisë Rajonale të Spitalit Korçë pasi të analizohet ngjarja do te dilet ne një përfundim.

Duke e vlerësuar profesionin e gazetarit si shumë të rëndësishëm për pasqyrimin sa më real të ngjarjeve dhe fakteve për informimin e opinionit publik, duke respektuar edhe figurën e mjekut, në të ardhmen do të kërkonim një bashkëpunim më të mirë, në respekt të gjithë kuadrit ligjor dhe etikës në punë, me qëllim shmangien e krijimit të konflikteve të panevojshme, të cilat mund të sjellin shqetësime për pacientet që janë duke u trajtuar me ndihmë mjekësore.

Të fundit