Flash News

KRYESORE

OFL ‘zbarkon’ në Tiranë, u kërkon të justifikojnë pasurinë Emiljano Shullazit dhe Gjergj Cukalit

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në këtë kuadër OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

- E. Sh, me banim në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

- Gjergj Cukali, me banim në Tiranë, pasi në vitin 2006, Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit";

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL, që prej nisjes së operacionit e deri sot, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 13 personave, si dhe ka sekuestruar: një vilë, një karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 m2 truall, arë.

Kush është Gjergj Cukali:

Ai njihet si një nga të fortët e rrugës “Myslym Shyri”, dhe si miku i ngushtë i Emilajno Shullazit, kreu i bandës Shullazi.

Në maj të vitit të shkuar u arrestua për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Më herët ka qenë i dënuar për trafik droge dhe rrëmbim personi.

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Cukalin me 10 vite burg për rrëmbimin e Fatjon Demirlikës në vitin 2004, për 100 mijë euro.

Në vitin  2012, Cukali u arrestua sepse u kap me një pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.

Në muajin korrik të 2016, policia shkatërroi grupin e Gjergj Cukalit, që merrej me shpërndarjen e drogërave të forta në kryeqytet, kurse  në vitin 2018 në datë 12 prill, Cukali u arrestua pasi shkeli masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.

Të fundit