Flash News

OP-ED

A do dalë Basha nga roli naiv i nën-amerikanit dhe të bëhet Amerikan? 

A do dalë Basha nga roli naiv i nën-amerikanit dhe të bëhet

Alfred Lela

Lulzim Basha po guxon në lidership edhe pse i ka trimëri kundravajtëse. Në fillim ua la amerikanëve të gjithë barrën e vendimit për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar duke ngritur lart duart e të pafuqishmit.

U desh ndërhyrja e ambasadores Kim gjatë një interviste për kolegun Armand Mero të Zërit të Amerikës, me theksin se vendimi ishte i Bashës. Në njëfarë mënyre Kim i ktheu ‘sovranitetin’ vendimit të kryetarit, bash atë zhanër që sipas Berishës i mungon PD me Bashën shef.

Një hap drejt guximit e hodhi kryetari i PD kur tha, në një dalje të posaçme për shtyp, që u shfaq nën maskën e një reagimi për buxhetin, por ishte enkas për Berishën, se ‘nuk ka më kthim pas’.

Domethënë as për përjashtimin e Berishës dhe as për thirrjen e forumeve për të rishikuar vendimin në fjalë. Mirë fort. Por, Basha bën prapakthehu kur sërish kërkon ta shtyjë ‘pataten e nxehtë’ në duart e amerikanëve. Duke lënë jashtë Ambasadoren ai, sipas raportimeve mediatike, ka thënë sot në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar se vendimi është marrë me ndërhyrjen e njerëzve të rangut të lartë në administratën amerikane.

Edhe pse po del ngadalë nga narkoza e veprimit të fortë që ka ndërmarrë, ai është ende i tulatur. Duke e rritur gradën e kokëkërkuesve të Sali Berishës ai shfajëson veten (nuk kam ç’bëj dmth) dhe në të njëjtën kohë fundos Doktorin (me ose pa dashje). Ndërhyrja nga nivele shumë të larta e hijezon tezën e Berishës se është lobimi i Sorosit dhe Ramës. Sigurisht, nëse me anë të kësaj Basha nuk po mundohet të thotë, në mënyrë të koduar, se vendimi ‘është marrë’ nga shërbimet.

Të gjitha këto paqartësi dëshmojnë se Basha nuk është kthjelluar ende për veprimin e tij dhe as për rëndësinë, por ngjan se po shkon drejt kësaj. Këto mund të jenë përpëlitjet e fundit.

Shina më e mirë e komunikimit mund të huazohet nga Berisha. I cili thotë se e merr vetë përsipër betejën dhe do ta ndjekë në mënyrë ligjore çështjen me amerikanët. Ndërkohë zhvillon aksionin e tij të brendshëm sikur kjo nuk ka të bëjë fare me amerikanët, por vetëm me Bashën dhe procesin.

Ndoshta ka ardhur koha që Basha të dalë nga ‘kompleksi amerikan’ dhe të theksojë se kjo është një luftë ndërmjet dy modelesh. Edhe pse makina u vu në lëvizje nga një levë amerikane, fërkimi ka qenë aty, dhe ishte pikërisht kjo nxehtësi e përplasjes së dy modeleve që e krijoi këtë zhvendosje.

Berisha nuk luftohet si anti-amerikan ndërkohë që luftën me Amerikën e ka çuar në gjykatë (the due process) dhe po përshkallëzon betejën e brendshme duke ndërtuar teza politike të cilat janë amerikane në thelb.

Vetë teza më e re e Bashës, se nuk e mbledh Konventën demokrate ngaqë nuk do një shfaqje anti-amerikanizmi është një anti-amerikanizëm më vete. Sa u takon amerikanëve, mund ta kenë plot kurthe ala House of cards, por e zhvillojnë procesin deri në gërmën më të fundit.

Bashës i duhet pak proces në mes të këtij tuneli plot me kurthe.

 

Të fundit