Flash News

OP-ED

Bilanci i baltës

Bilanci i baltës

nga Namir Lapardhaja

 

Megjithë makinerinë e stërmadhe të propagandës, Edi Rama nuk po arrin dot të prodhojë një gënjeshtër të besueshme. Prej daljes së tij të fundit në “OPINION” dhe ndërhyrjes së liderit të opozitës, ai po mundohet vetëm t’i përgjigjet akuzave për plehrat.

Bilanci i vetëm i kësaj qeverie është baltosja e kundërshtarit. Të ardhur në pushtet nën moton “Fajin e ka Saliu”, ata po ikin me anatemimin e gjithkujt që nuk është në të njëjtën gjatësi vale me arritjet e tyre imagjinare.

Armiku shfaqet herë në radhët e PD-së, herë në radhët e gazetarëve. Baltosja është e njëjtë për këdo që guxon të kundërshtojë publikisht.

Sot, kur kanë ngelur pak muaj nga zgjedhjet, edhe optimisti më i madh e ka të vështirë të bëjë një bilanc për arritjet e Edi Ramës. Kush dëgjon narrativën e përditshme të pushtetit, i duket sikur këta nuk kanë qeverisur për dy mandate, por sikur të jenë në pritje për të ardhur në pushtet pas një opozite të gjatë. Premtime të dhëna në zgjedhjet e vitit 2013 janë rimarrë, duke u artikuluar si të ishin të reja.

Pyetja e natyrshme që mund të shtrohet prej gjithkujt është se pse duhet besuar se do të realizohen në të ardhmen, kur nuk arritën të realizohen deri sot? Cili është mekanizmi i besimit që do t’u garantojë shqiptarëve se gënjeshtrat e djeshme nesër do të bëhen realitet? A nuk mjaftojnë realizimet e paqena në dy mandate për të besuar se ato do të ndodhin në të ardhmen?

Fundi i qeverisjes duhet të ishte vit i bilanceve. Çfarë është arritur në këto kohë dhe çfarë mund të bëhej më shumë?

Kjo nuk ka se si të ndodhë me këtë mazhorancë dhe me ushtrinë e verbër të propagandës. E gjithë qeverisja e këtyre viteve ishte një mandatë e zezë.

Ndaj si zgjidhje të vetme që i ka ngelur në dorë pushtetit është baltosja. Duke e nxirë kundërshtarin me të gjithë mundësitë që ofron leksiku, ose duke i pamundësuar për të realizuar misionin, siç ishte rasti i fundit ndaj kryetarit të FRPD-së, Belind Këlliçit, dhe zëdhënëses për shtyp, Ina Zhupës.

Me këtë lloj diskursi, qeverisja e trajton popullin e saj si fëmijë, duke e trembur me gogolin imagjinar. Qëllimi është i atillë që kur artikulohet një akuzë e rëndë nga opozita, ata nxitojnë të hedhin baltë dhe të tregojnë me gisht denoncuesin. Është një veprim diabolik që nuk synon të zgjidhë problemin, por ta fshehë, duke mos e lënë publikun të arsyetojë në vërtetësinë e akuzave apo në qartësimin e së drejtës. Rrjedhimisht, duke i barazuar palët.

Arsyeja e propagandës gëlbesiane të baltës është që shqiptarët të mos e marrin vesh kurrë të vërtetën. Nëse do të dëgjojnë baltën e akuzave, qytetarët do të shohin tek opozita të keqen e madhe që e ka sunduar këtë vend për shumë kohë, ndërkohë që është krejtësisht e kundërta. Nëse ka një fajtor, ai është vetëm pushteti i stërmadh i Edi Ramës, të cilin nuk ka baltë ndaj kundërshtarit që e shpëton nga e keqja e vetes.

Të fundit