Flash News

OP-ED

Edi Rama, tradhtar apo lojtar?

Edi Rama, tradhtar apo lojtar?

Vizita në Turqi mund të shënojë episodin më të rëndësishëm elektoral të Edi Ramës për zgjedhjet e 25 prillit. Ai ka marrë jo vetëm pritjen alla turka dhe mbështetjen personale të Erdoganit, por edhe disa 'dhurata' që, në një mjedis që të sheh gjithmonë nga duart, do ta ndihmojnë në zgjedhjet e radhës.

Pavarësisht se këtu në Tiranë mundohemi ta paraqesim si të humbur kryeministrin, e kundërta është e vërtetë.

Thënë këtë, për të qenë të drejtë me të vërtetën, nuk mund të mos shtohet se, nëse Rama dhe qeveria fitojnë, shqiptarët humbin.

Në rrafshin e integrimit, Shqipëria e pëson nga flirti me Erdoganin i cili shihet si kalorës i një islami konservator dhe i autokracisë lindore. Identifikimi i miqësisë shqiptaro-turke në terma të fesë dhe lidhjeve historike krijon një kontekst të pafavorshëm në rrafshin identitar dhe një varësi kulturore gjithnjë e më shumë dëmtuese.

Ndërkohë që Rama i shërben projektit të vet politik, dhe Erdogani sa luftës së brendshme me gylenistët sa platformës neotomane, të dyja bashkë dëmtojnë thelbin e shqiptarizmës, prirjen oksidentale. E cila u themelua nga rilindasit dhe shkonte në kundërrjedhë me gjithçka përfaqësonte Turqia e fillimshekullit 20. Turqia, sigurisht, ka ndryshuar shumë, bashkë me kohët, por për shqiptarët një gjë mbetet e njëjta: ngulmimi për ta bërë Shqipërinë europiane.

Përkundër kësaj, Edi Rama, emrin ia ka marrë Konicës, Fishtës e Naimit, duke u vetëquajtur rilindas, por jo rrallë shfaqet, në Tiranë, Prizren a Stamboll, me maskën e dumbabës.

E keqdrejtojmë kritikën dhe e bëjmë të pabesueshme nëse themi se kryeministri është proturk, tradhtar etj. Ai nuk është më shumë as më pak se një pragmatist. Tradhtia e tij qëndron në faktin se me shpenzimet e Shqipërisë kryen qokat e veta dhe të partisë.   

Të fundit